Kryetari i PD-së në Lezhë anulon largimin, fshin statusin e dorëheqjes

Kryetari i PD-së në Lezhë ka anuluar dorëheqjen e njoftuar publikisht dje, duke vijuar qëndrimin në krye të degës. Arben Ndoi e kishte njoftuar largimin me një status të gjatë në Facebook ku rrëfente edhe arsyet e dorëheqjes. Ai falënderonte anëtarët e PD-së për mbështetjen që i kishin dhënë, por ishte mjaft kritik për një pakicë prej tyre.

“…janë një pakicë e vogël, të cilët kanë përfituar aq shumë prej PD. Shumica prej tyre të pa sprovuar asnjëherë me votë dhe pa asnjë aksion politik. Pikërisht këta persona harxhojnë kaq shumë energji negative në një luftë të paprinciptë brenda llojit.

Ndërkohë që për asnjë sekondë nuk i shikova të bëjnë opozitë ndaj kundërshtarit politik, Rilindjes, e cila qeveris pothuaj prej 10 viteve Shqipërinë. Për fatin e keq disa nga këta servilë, hileqarë, prapaskenistë, intrigantë, gjejnë terren dhe mbështetje nga apendikse të caktuara brenda PD në qendër.

Kjo ndikon në krijimin e një frymë negative dhe afekton mbarëvajtjen e punës brenda PD Lezhë. Dhe natyrisht kjo ka shkaktuar edhe një demotivim timin në kryerjen e funksionit tim si kryetar. E mirëkuptoj edhe zhgënjimin e disave prej jush nga ky akt i dorëheqjes time.

Por në kushtet e pamundësisë për të ndryshuar këtë realitet, kisha vetëm dy alternativa: ndryshimin e karakterit tim në këtë moshë (56 vjeç) ose dorëheqjen. Dhe ndërmjet këtyre dy alternativave vendosja pa asnjë mëdyshje të zgjedh këtë të fundit” – shkruante ndër të tjera Ndoi.

Por disa orë më vonë statusi i tij u hoq nga Facebook dhe ai u shfaq në një tavolinë me disa simpatizantë duke pozuar me 2 gishtat lart.

“Nuk ka doreheqje te kryetarit! Përpara e më të bashkuar drejt fitores!  Rroftë Partia Demokratike ” – shkruante njëri prej tyre, Damian Sulaj.

Të Fundit