Kreu i FSHZH Dritan Agolli mbron tenderin: Konfliktin e interesit e zgjidh drejtësia

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli ka reaguar përmes një deklarate lidhur me tenderin prej 500 mln lekë dhënë kuzhinierit të restorantit të djalit të tij.

Duke e quajtur një fushatë përbaltje akuzat e ngritura lidhur me këtë tender, Agolli sqaron në reagimin e tij, të gjitha hapat e ndjekura në këtë proces dhe thotë se turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm dhe përmirësimi i ketij produkti turistik sipas Fondit do rezultonte me rritje në të ardhurat për këtë sektor. Agolli thotë se procedura e prokurimit është në proces dhe e papërfunduar, pra ende nuk ka një kontratë të lidhur sipas ligjit.

“Nga ana e FSHZH-së iu bë me dije kjo gjë kompanisë dhe iu kërkua që t’a plotësonte dhe riparaqiste kërkesën në formën dhe mënyrën e kërkuar ligjore duke i lejuar kohen e mjaftueshme dhe te parashikuar nga legjislacioni. Bashkimi i operatoreve ekonomik i renditur i dyti, ka riparaqitur ankesën në FSHZH dhe pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Aktualisht procedura e prokurimit është në proces dhe e papërfunduar, pra ende nuk ka një kontratë të lidhur sipas ligjit. Për këto arsye zhurma që është duke u bërë ne media praktikisht është një ushtrim i hapur presioni për të influencuar në procedurën e prokurimit dhe në vendimmarrje gjë e cila bie në kundërshtim edhe me përcaktimet ligjore për personat apo institucionet që ndikojnë në vendimmarrje”, thekson ai.

Lidhur me çështjen e konflikit të interesit, pasi paratë i ka marrë kuzhinieri i restorantit të të birit, Dritan Agolli thotë se këtë do ta zgjidhë drejtësia.

“Lidhur me çështjen e konfliktit të interesit tashmë që kam ardhur në dijeni nga mediat që kanë filluar hetimet për këtë çështje nga organet kompetente sqaroj se në këtë pikë tashmë janë këto organe që do të shqyrtojnë dhe vlerësojnë këtë çështje dhe nuk ka më vend për sqarime mediatike”-vijon ai.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili drejtohet nga Dritan Agolli zhvilloi një tender për hartimin e menusë së 100 fshatrave dhe realizimin e një dokumentari dhe për këtë pagoi plot 500 milionë lekë, ndërsa SPAK njoftoi sot nisjen e verifikimeve lidhur me procedurat e ndjekura.

Të Fundit