Korrupsion e prostitucion/Pezullohen nënkomisari dhe inspektorja në Tiranë

Janë pezulluar nga detyra dy punonjës të policisë në Tiranë. Sipas një njoftimi zyrtar, SHÇBA ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka vendosur masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për dy punonjës të policisë.

Mësohet se është pezulluar nga detyra nënkomisari me inicialet F.M., 29 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë.

Gjithashtu është pezulluar nga detyra inspektorja O.K., 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit në D.V.P. Tiranë.

“Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës u krye në funksion të procedimit penal Nr. 5023, të kryer nga SHÇBA Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Tiranë, me hetime proaktive disa mujore, për akuzat “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim i prostitucionit”.

Në zbatim të vendimit datë 23.12.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të këtij hetimi u procedua penalisht edhe shtetasja S.K, 53 vjeçe, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj në qytetin e Memaliajt, u gjetën:

2 armë gjahu gjysëmautomatike;

sasi fishekësh, që mbaheshin pa leje.

Gjithashtu, shtetasve të mësipërm iu sekuestruan edhe 4 telefona celularë në interes të thellimit të hetimeve për veprat penale të sipërcituara.

Nga hetimet e SHÇBA Tiranë ka rezultuar se oficeri i policisë F.M., duke shpërdoruar detyrën, ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh.

Gjithashtu, dyshohet se në lokalin e vjehrrës së tij, shtetases S.K. ushtrohej prostitucion, por oficerja e Sallës Operative informonte 53-vjeçaren për aksionet që organizonte Policia”-thuhet në njoftim.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Të Fundit