Konkretizohet marrëveshja me Turqinë, Qeveria jep mbi 8 milionë euro për dronë supërinteligjentë për kontrollin e territorit dhe rendit publik – Stop
Lajme, Të Gjitha

Konkretizohet marrëveshja me Turqinë, Qeveria jep mbi 8 milionë euro për dronë supërinteligjentë për kontrollin e territorit dhe rendit publik

TIRANË-Nga Turqia, në fillim të këtij muaji kur zhvilloi një vizitë dyditore në Ankara, kryeministri Edi Rama ndër të tjera dha lajmin se Shqipëria do të blejë nga vendi mik dronë inteligjentë për sistemin e kontrollit të territorit të vendit për rendin publik. Do të prodhohen në kohë reale të dhëna mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, rendin publik.

Kjo marrëveshje e arritur në Ankara është konkretizuar edhe në Aktin Normativ të fundit të Këshillit të Ministrave për ndryshimet në buxhetin e shtetit. Në relacionin e projektligjit thuhet se një prej ndryshimeve është në drejtim të projektit prioritar të Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me drone në vlerë 1 miliardë lekë, në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi. Pra më shumë se 8 milionë euro qeveria shqiptare i ka dedikuar për këtë projekt.

Shqipëria do t’i blejë dronët në kompaninë “Bykar Defense”, e specializuar në prodhimin e dronëve të teknologjisë së lartë. Shfrytëzimi i këtyre dronëve në vendin tonë do të rrisë cilësisht efektivitetin e punës së Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera në drejtim të kontrollit të territorit, për të parandaluar në këtë mënyrë fenomenet e paligjshme kudo ku ato hasen.

Me rishikimin e katërt të buxhetit brenda këtij viti mbi 11 miliardë lekë është shuma e shtuar në buxhetin e shtetit për zërin e shpenzimeve. Në aktin e katërt normativ të miratuar në 22 qershor janë rritur shpenzimet dhe deficiti buxhetor, dhe mbeten pandryshuar pritshmëritë për të ardhurat edhe pse të dhënat e Ministrisë së Financave flasin për rimëkëmbje ekonomike.

 

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *