Komiteti i Ekspertëve merr vendimin: Shqipëria mbyllet nga ora 20:00, rikthehet mësimi online

Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur këtë mesditë për të njoftuar masat e reja më shtrënguese kundër koronavirusit.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama, që një ditë më parë paralajmëroi shtrëngim të masave anti-Covid, për shkak të rritjes së shifrave javët e fundit.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se ora policore do të nisë nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, ku nuk do të lejohet lëvizja e qytetarëve dhe aktiviteti i bizneseve.

Disa nga masat e Komitetit Teknik të Ekspertëve:

– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.

– Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.

Të Fundit