“Keqardhje për mikun tim të dikurshëm Ilir”, Rama: Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Metën

TIRANË

Kryeministri Edi Rama nuk e ka humbur seancën e sotme ku pritet të votohet shkarkimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta, i vendosur në këtë detyrë nga po kjo maxhorancë. Rama, i cili ishte në vizitë në Hungari dhe Bullgari është kthyer sot për të votuar shkarkimin, teksa i ka bërë thirrje dhe parlamentit të votojë pro shkarkimit.

Rama tha gjatë fjalës së tij të shkurtër ku kryefjalë ishte emri “Ilir Meta”, se ai ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. Për Ramën Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht në mënyrë të përsëritur për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore dhe se Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën duke u bërë gazi i botës.

Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me SHBA. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht në mënyrë të përsëritur për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën duke u bërë gazi i botës në sy të miqve të saj dhe vetë qytetarëve të saj. Prandaj ky parlament duhet të ushtrojë pa ngurrim vullnetin e më shumë se 90% të popullit shqiptar për ta shkarkuar Ilir Metën nga detyra. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotëm nuk mund të ketë kurrsesi më statusin e lartë që i ka dhënë parlamenti. Ilir Meta ka mbaruar punë me rolin që mori nga parlamenti dhe fjalët për të si president kanë mbaruar. Tani të flasë parlamenti me votë”, tha Rama.

 

Të Fundit