Kanabis brenda serës, ministria e bujqësisë: Janë për eksperiment

Ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi, ka reaguar pas një videoje të publikuar në faqjen e saj zyrtare, ku shfaqeshin disa rrënjë kanabisi brenda një sere në Lushnje. Gjatë kohës që ministrja bisedonte me një agronom, pranë rrënjëve të domateve vihej re edhe një bimë kanabis sativa.

Video në fjalë u fshi, ndërsa më pas u ripostua sërish por këtë radhë e edituar, ku nuk dukej kanabisi i kultivuar në serë.

Një ditë pas ngjarjes, ministria thotë se në disa sera që janë nën administrimin e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Lushnje, rriten bimë të dyshuara kanabis, me kërkesë të policisë së shtetit, për çështje eksperimentale.

Po ashtu në këtë reagim shpjegohet se bimët janë mbjellë bazuar në kërkesat e Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, kryer për llogari të hetimeve të tyre për lëndët narkotike.

NJOFTIMI I PLOTË I MINISTRISË:
Në vijim të disa raportimeve dizinformuese në media të ndryshme informojmë si më poshtë:
Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Lushnjë, ka në objektin e punës kërkimin/transferimin e teknologjive bujqësore për kulturat perimore dhe grurin si dhe identifikimin, testimin, përshtatjen e metodave dhe inputeve të reja në praktikat bujqësore. Kjo qendër disponon edhe një serrë për prodhimin dhe testimin e fidaneve të llojeve të ndryshme.
QTTB Lushnjë, në fushën e saj të veprimtarisë bashkëpunon me ente publike dhe private. Në këtë kuadër, bazuar në kërkesat e Prokurorisë /Policisë së Shtetit, kryen për llogari të hetimeve të tyre mbjelljen e farërave të bimeve të dyshuara si bimë narkotike. Bimet në fjalë janë mbjellë sipas kërkesës së tyre më shkresën numër 369, datë 4.05.2021.
Kjo formë e bashkëpunimit është e hershme dhe e vazhdueshme midis QTTB-ve dhe Prokurorisë/Policisë, në funksion të evidentimit të farërave të dyshuara nëpërmjet mbjelljes dhe rritjes deri në një fazë të caktuar.
Që prej vitit 2010 kjo procedure bëhet sipas një protokolli të përcaktuar qartë, që fillon nga marrja në dorëzim e farërave, mbjellja e tyre, shërbimet dhe dorëzimi i bimëve sipas dokumentacionit përkatës. Për mbjelljen e këtij numri të kufizuar bimësh shfrytëzohen të njejtat ambiente që përdoren edhe për kultivimin e bimëve të tjera.
Gjithashtu në vijim të sqarimit të opinionit publik referuar lajmeve të fundit mbi një zjarr të rënë në QTTB Lushnjë, informojmë se ky informacion është i pasaktë. Bëhet fjalë për një zjarr në një sipërfaqë të kufizuar toke në distancë me këtë qendër, ku digjeshin mbeturina kashte (hamullash) pas korrjes së grurit
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e hapur dhe në dispozicion për cdo informacion tjetër që mund të nevojitet.

Të Fundit