Kadilli: Për Berishën në PD ka nostalgji, sikurse për Enverin

Ish-kandidati për kreun e PD-së Fatbardh Kadilli thotë se Lulzim Basha nuk kishte besueshmëri në Partinë Demokratike, kurse për Sali Berishën demokratët kanë nostalgji, sikurse ka për Enver Hoxhën.

“Braktisja e Bashës ishte lehtë se është njeriu më i pabesueshëm, në thelb nuk është asnjëherë mbështetja e dikujt Amerika që të bën politikan, po besueshmëria për njerëzit e tu dhe nëse nuk je për të tutë, nuk je për ndërkombëtarët. Partneriteti me kolegët e tu, anëtarët, votuesit e tu është ajo që provohesh a je partner. Këtë problem ka patur Basha nuk ka patur besueshmëri në parti për të se ishte i preferuari i Berishës. Kurse për Berishën ka nostalgji në PD, sikurse ka për Enver Hoxhën, se ka njerëz që e kanë parë jetën përmes Berishës. Demokratë që kanë nostalgji për momentet e lumtura kur Berisha ishte në pushtet”,-tha Kadilli.

Në intervistë për media, Kadilli thotë se basha rrethohej nga njerëz që vinin gjoba, ndërsa Berisha nga njerëz të korruptuar.

“Por këto nuk janë arsye politike, por personale e psikologjike. Në këtë parti ka ose gjobaxhinj që rreshtohen me Bashën dhe të korruptuar që janë me Berishën”,- Kadilli.

Për Kadillin çdokush që duhet të ngrejë PD-në duhet t’u gjejë zgjidhje Berishës, Bashës dhe Alibeajt, duke bërë krahasimin.

“Derisa PD të shkojë të regjistrojë në kryetar tjetër aty figuron Basha në letrat e gjykatës dhe deri sa të zgjidhet një tjetër ai do të jetë. Basha ia ka deleguar Alibeajt. Dhe Berisha që ende nuk e ka marrë mandatin. Çdo zhvillues has telashe me pronarët. Kemi ish-pronarët si Berisha, ata që e përfituan falas si Basha dhe Alibeaj, ai që ka ndërtuar të vetën. Çdo njeri që duhet ta ngrejë PD duhet t’u gjejë zgjidhje këtyre të treve. Nuk mund ta banalizojmë gjënë se kush është kryetari në letër. SHBA është shprehur për Berishën. Dhe ky është realitet”, thekson Kadilli i cili shton se me Berishën është ndarë që para vendimit amerikan, sepse mendon që PD duhet të jetë ndryshe nga ajo që na la Berisha dhe Basha.

“Personalisht kam dhembshuri. Ndarja ime është prej modelit politik dhe kur kërkon të kthehet e zhyt poshtë partinë”.

Ai thekson se është qasur në PD nëpërmjet ideve dhe jo pushtetit, ndërsa Berisha sipas tij është i fortë në numra

Kur ke një strukturë merr një vlerë. Unë kam preferuar që të jenë njerëz që sakrifikojnë për idetë parimet dhe vlerat dhe unë jam dëgjuar. Beteja ime është të dëgjohem deri në fund. Unë nuk imponohem me numra, por me ide. Berisha imponohet me numra. Është i fortë me numra, unë me ide. Beteja e ideve është më e rëndësishme në këtë çast, se numrat shkojnë pas poleve të pushtetit.

Unë nuk jam qasur nëpërmjet pushtetit, unë i ftoj njerëzit te idetë se me këto ndryshojmë dhe fitojmë të gjithë bashkë”.

Të Fundit