Japonia mbyll kufijtë për të huajt, shkak varianti i ri i COVID-19

Qeveria japoneze do të ndalojë përkohësisht hyrjen e të huajve si masë paraprake kundër përhapjes së variantit të ri të COVID-19, i cili mendohet të jetë më ngjitës dhe që momentalisht është përhapur më së shumti në Britani të Madhe.

Ministria e Jashtme e Japonisë tha se ndalimi i hyrjeve do të nisë prej së hënës, datë 28 dhjetor dhe do të jetë në fuqi deri më 31 janar.

Javën e shkuar Japonia u ndaloi hyrjen të huajve nga Britania e Madhe dhe Afrika e Jugut, sidoqoftë vendosi të marrë masa të tjera shtesë pasi shtatë persona u diagnostikuan si mbartës të variantit të ri të virusit dy ditët e fundit – pesë prej tyre vinin nga Britania dhe rezultuan pozitivë në aeroportin e Tokios.

Që prej dhjetorit të vitit të shkuar, kur virusi COVID-19 buroi nga Kina, Japonia ka pikasur mbi 218 mijë raste me infeksion, prej së cilave 3,213 raste janë mbyllur me pasojë vdekjen. Të shtunën autoritetet pikasën më shumë se 3,892 raste të reja, shifra këto rekord që prej nisjes së pandemisë për ta.

Prej datës 20 dhjetor frika nga një variacion i ri i coronavirus-it që është shfaqur kryesisht në Britani ka shtyrë më shumë se 40 shtete t’i pezullojnë të gjitha fluturimet ardhëse prej andej.

Të Fundit