“Jam gati për negociata me Putinin,” Zelensky: Nëse nuk merremi vesh nis “Lufta e Tretë Botërore”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur ditën e sotme se është gati që të negociojë me presidentin rus Vladimir Putin. Megjithatë, lideri i Ukrainës paralajmëroi se nëse përpjekjet për negociata dështojnë, kjo mund të nënkuptojë se lufta midis dy vendeve do të çojë në “një Luftë të Tretë Botërore”.

“Jam gati për negociata me të. Isha gati për dy vitet e fundit. Dhe mendoj se pa negociata, ne nuk mund t’i japim fund kësaj lufte,” tha Zelensky në një intervistë për CNN të dielën në mëngjes.

“Nëse ka vetëm 1% mundësi që ne ta ndalojmë këtë luftë, mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë shans…Unë mund t’ju them për rezultatin e këtyre negociatave, në çdo rast, ne po humbasim njerëz çdo ditë, njerëz të pafajshëm në terren.”

Presidenti ukrainas shtoi se forcat ruse kanë synim që të shfarosin vendin që ai drejton por theksoi se Ukraina do të tregojë që është në gjendje t’i japë një goditje të fuqishme.

“Por, për fat të keq, dinjiteti ynë nuk do të ruajë jetë. Pra, unë mendoj se ne duhet të përdorim çdo format, çdo shans për të pasur një mundësi për të negociuar, mundësinë për të biseduar me Putinin. Por nëse këto përpjekje dështojnë, kjo do të thotë se kjo është një luftë e tretë botërore”.

Të Fundit