Ia përkushtoi jetën të varfërve,sot 5 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës

Si sot 5 vite më parë, më 5 shtator 2016, Nënë Tereza, u shpall shenjtore. Ajo është një nga figurat me origjinë shqiptare më të njohura në të gjithë botën për veprën e saj humaniste. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 Gusht 1910. Në vitin 1979 ajo u shpërblye me çmimin Nobel për Paqen, ndërsa “u lumturua” në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II.

“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri” tha ajo në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel kur u pyet për origjinën e saj.

Nënë Tereza e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj në Kalkuta të Indisë duke ju dedikuar tërësisht çështjes së bamirësisë dhe duke u kujdesur për njerëzit e varfër e të sëmurë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.

Nënë Tereza tha “Me gjak, unë jam Shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit.”

Ajo nuk u tremb nga kritikat për qëndrimin e saj kundër abortit dhe divorcit duke thënë, “ pavarësisht kush thotë çfarë, ti duhet ta pranosh atë me një buzëqeshje dhe të bësh punën tënde.”

Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 Shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.

Të Fundit