Holokausti/ Rama: 3750 hebrej të strehuar në Shqipëri, jemi besnikë të kodit të nderit

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar mbi Përkujtimin e Holokaustit dhe Luftën kundër Antisemitizmit. Në fjalën e tij, ndërsa ka kujtuar strehimin që shqiptarët I bënë hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kryeministri ka paralelizuar situatën me pritjen që vendi u bëri qytetarëve afganë, duke e konsideruar këtë gjest element të sjelljes dhe traditës shqiptare.

“Shqipëria është vendi i vetëm në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara saj dhe është vendi që u kthye në një strehë të sigurt për hebrenjtë, të cilët erdhën pikërisht për të gjetur strehë e për të shpëtuar pikërisht në atë kohë kur në kontinentin tonë, të ishe hebre, ishte praktikisht një dënim me vdekje.

Do të merrte gjatë po të tregoja sesi ndodhi dhe arsyet për këtë, por në themel qëndron ligji ynë zakonor, kodi i nderit i shqiptarëve, Kushtetuta jonë e parë, nëse mund ta them kështu, që nga mesjeta. E gjitha nis me një paragraf që thotë se ‘shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’. Përkthimi fjalë për fjalë nuk është “e mikut” në kuptimin e njerëzve që fton, po e shtegtarit që, në kërkim të strehës, mund të të trokasë në derë. Pason një shpjegim të tërë për trokitjen në derë, detyrimin për ta hapur dhe ndëshkimi më i ashpër i ligjit zakonor është për ata që nuk e respektojnë këtë paragraf. Forma më e rëndë e çnderimit është të tradhtosh mikun. Kështu, hebrenjtë në Shqipëri ishin edhe më parë një komunitet i vogël dhe Shqipëria ishte mes të paktave vende Europë që përcaktonte me ligj të drejtën e Shabatit të tyre. Shabati ishte e drejtë ligjore dhe asnjë subjekt punëdhënës i sektorit publik ose privat nuk mund ta penalizonte, një person, një hebre pse s’ishte në punë për shkak të Shabatit. Po çfarë bëmë me gjithë këtë histori më pas? Mendoj se për ne është thelbësore që të vazhdojmë të ecim në këtë drejtim dhe të bëjmë sa më shumë të mundemi që fëmijët tanë, jo thjesht të mësojnë prej kësaj historie, por edhe t’i rrinë besnikë këtij kodi nderi. Ne qemë vendi i parë që u hapi dyert afganëve dhe pranoi të strehonte 4000 afganë, e meqë ra fjala, kundërshtia në vendin tonë ishte e papërfillshme, pasi shqiptarëve u vjen natyrshëm t’i gjenden atij që është në nevojë, ashtu siç ishim ne tridhjetë vjet më parë, kur iknim nga regjimi brutal dhe gjetëm dyer që na u hapën kur kishim nevojë”, u shpreh Kryeministri.

Më tej Rama, tha se i kishte dorëzuar drejtorit të Muzeut të Holokaustit një listë me 3750 emra qytetarësh hebrej, të strehuar në Shqipëri, çka e rrit këtë numër, nnga 2265 që njiheshin deri në vitin 2005.

“Së fundi, për ta përmbyllur, u ndjeva i prekur nga rastësia në këtë forum që, në të njëjtën seancë plenare më parë, ishte i pranishëm kreu i Yad Vashem-it (Muzeut të Holokaustit); sepse erdha këtu me një dokument që përmban lajme të reja për këtë histori, në kuptimin që, sipas regjistrit të Yad Vashem-it, hebrenjtë që u shpëtuan në Shqipëri ishin 2265 dhe kjo listë i përket vitit 2005… Por ne kemi vazhduar të studiojmë, kemi vazhduar të hyjmë më në thellësi përmes një ekipi shumë të mirë pranë Akademisë së Shkencave, i drejtuar nga një profesor i shquar dhe kështu sot, i dorëzova zotërisë së nderuar një listë të re, që shkon në 3750 emra. Ky është një kontribut shtesë që Shqipëria jep për muzeun ku jemi shumë krenarë të bëjmë pjesë, po aq sa jemi krenar që Shqipëria është vlerësuar ndër “Të drejtët mes kombeve”, për shkak të veprës së vet gjatë Holokaustit”, tha Rama, ndërsa shtoi se këta libra do të bëhen pjesë e programit parauniversitar në shkolla.

Të Fundit