Hetimet paraprake/Shkaku i aksidentit në Bullgari shpejtësia e gabimi i shoferit

Hetimet paraprake kanë nxjerrë dhe shkaqet e para të aksidentit të autobusit maqedonas në Bullgari.

Sipas ekspertit bullgar, Vasko Pirgov, ngjarja ka ndodhur si pasojë e një gabimi njerëzor të shoferit.

Pigov thotë se autobusi ka udhëtuar me më shumë se 100 kilometra në orë, ndërsa shoferi nuk ka frenuar në kohë.

“Zjarri është shkaktuar nga një gabim njerëzor i shoferit. Fillimisht autobusi goditi gomën e parë djathtas në një shenjë që fluturoi 45 metra përpara. Rruga ishte e përsosur dhe autobusi nuk ka rrëshqitur, thjesht shoferi nuk ka reaguar siç duhet. Me shumë mundësi ka pasur fërkim metal-metal që krijoi shkëndijat duke sjellë më pas edhe zjarrin”, theksoi ai.

Sipas policisë, zjarri filloi nga pjesa e përparme e autobusit ndërsa në gomat rezervë mësohet se kishte tuba vaji, të cilat kanë shkaktuar përhapjen e zjarrit. Kjo u zbulua nga fakti se rruga ishte e mbushur me vaj.

Sipas Vasko Pirgov, shumica e viktimave ndoshta janë asfiksuar. “Mendoj se në 2-3 minuta autobusi u dogj”, tha ai ndërsa bëri me dije se pjesa e përparme e autobusit është djegur plotësisht, aq sa është shkrirë edhe llamarina.

Hetimi i autoriteteve bullgare do të zbardhë shkaqet e zjarrit dhe tragjedisë fatale që tronditi dy vendet. Hetimit i është bashkuar edhe policia e Maqedonisë së Veriut.

Të Fundit