Grabitja e Postës, arrestohen dy adoleshentët, morën 200 mijë lekë me armë lodër

Policia ka zbardhur dhe dokumentuar vjedhjen e filialit të Postës Shqiptare, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë në zonën e Babrrusë.

Blutë e Kamzës kanë identifikuar dhe arrestuar autorët, që dyshohet se vodhën nën kërcënimin e një arme lodër, një shumë parash në filialin e Postës Shqiptare, duke u larguar me biçikleta.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Filiali” u bë kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasve R. S., 15 vjeç, banues në rrugën “Gani Kryeziu” dhe E. L., 17 vjeç, banues në rrugën “Ilmi Kolgjegja”.

Këta shtetas, më datë 15.12.2021, rreth orës 09:15, të maskuar me kapuçët e xhupave që kishin veshur, kanë hyrë në filialin e postës Shqiptare në Babrru dhe nën kërcënimin e një arme lodër, kanë marrë 200.000 lekë dhe janë larguar me biçikleta.

Gjatë kontrollit të banesave të tyre janë gjetur e sekuestruar 160.500 lekë të rinj dhe një nga biçikletat e përdorura për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit