Gjermania e para në BE që do të nisë trajtimin me antitrupa kundër COVID-19

Në përpjekje për të luftuar pandeminë, ministri gjerman i Shëndetësisë bëri me dije se qeveria ka blerë një ilaç të ri kundër COVID-19. Lajmi vjen në një kohë kur kompanitë farmaceutike kanë vendosur të reduktojnë shpërndarjen e dozave të vaksinës.

Jens Spahn bëri me dije për median vendase Bild Am Sonntag se Gjermania do të bëhet shteti i parë anëtar i BE-së që fillon përdorimin e trajtimit eksperimental me antitrupa, që ndihmuan edhe ish-presidentin e SHBA-së Donald Trump të shërohet nga COVID-19.

“Duke filluar nga java tjetër, antitrupat do të përdoren në Gjermani duke u bërë vendi i parë në BE që nis këtë trajtim. Fillimisht nis në klinikat universitare. Qeveria federale ka blerë 200,000 doza për 400 milion euro (487 milion dollarë),” – u shpreh ministri.

“Ata veprojnë si një vaksinim pasiv. Administrimi i këtyre antitrupave në fazat e hershme mund të ndihmojë pacientët me rrezik të lartë të shmangin një progres më serioz,” – shtoi Spahn.

Trump, i cili u shtrua për pak kohë në spital me virusin, u trajtua me përzierjen e antitrupave REGN-COV2 madje ende pa marrë miratimin nga agjencitë rregullatore. Trajtimi i ri është një kombinim i dy antitrupave të prodhuar në laborator, proteina që luftojnë infeksionin që janë zhvilluar për t’u lidhur me pjesën e koronavirusit që ai përdor për të pushtuar qelizat njerëzore.

Antitrupat ngjiten në pjesë të ndryshme të proteinës spike të virusit, duke shtrembëruar strukturën e tij.

Vendimi i Gjermanisë vjen në një kohë zhgënjimi në Bashkimin Europian për shkak të procesit të ngadaltë të shpërndarjes së vaksinave.

Prodhuesit e vaksinave Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca kanë bërë me dije se përkohësisht do të japin më pak doza për Evropën për shkak të problemeve të prodhimit ndërkohë që qeveria gjermane ka premtuar se deri të fund të gushtit popullsia do të injektohet me dozën e parë.

Të Fundit