“Gërdeci”/Gjykata e Posaçme vendos rigjykim për ish-ministrin Fatmir Mediu

GJKKO ka vendosur ditën e sotme rigjykim për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Ky vendim vjen në kuadër të rihapjes së dosjes “Gerdeci”. Gjyqtarja Dollani e ka marrë këtë vendim në dhomën e këshillimit.

“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke
i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”.- thuhet në vendimin zyrtar.

Kujtojmë se Mediu është akuzuar për shpërdorim detyre, në lidhje me shpërthimin e municioneve në fabrikën e demontimit në Gërdec. Një nga familjarët e viktimave, Zamira Durdaj, e cila humbi të birin, kallëzoi në SPAK ish-ministrin e Mbrojtjes.

Shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë të 109 të të tjerëve.

Të Fundit