Fier/ Cannabis në stallë, arrestohen 4 gra dhe procedohet kryeplaku i fshatit

Shtatë shtetas, mes të cilëve 4 gra, janë vënë në pranga, ndërsa kryeplaku i fshatit Hamil në Fier është proceduar, pas operacionit të policisë në fushën e narkotikëve. Policia ka gjetur dhe ka sekuestruar edhe 60 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Hamili”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Hamil, në stallën në pronësi të shtetasit A. H., janë gjetur dhe sekuestruar 60.4 kg lëndë bimore cannabis sativa si edhe në tokën e tij të mbjellë me misër u gjetën të kultivuara bimë cannabis sativa”, njoftoi policia.

Nga operacioni, u arrestuan: A. H., 42 vjeç, banues në Hamil, Z. K., 36 vjeç, A. K., 24 vjeçe, F. K., 38 vjeçe, H. K., 60 vjeçe dhe F. K., 34 vjeçe, banues në fshatin Baltëz, të cilët u gjetën në stallën e shtetasit A. H., duke kryer procesin e tharjes së bimëve narkotike.

Gjithashtu u procedua penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, kryeplaku i fshatit Hamil, shtetasi S. H., 56 vjeç.

Gjatë kontrollit të territorit, po në këtë fshat, në tokën e mbjellë me misër të shtetasit E. H., 39 vjeç, u gjetën të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 39 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Të Fundit