“Ekonomia vërtitet rreth klientëve të qeverisë”, Basha: Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të siguruar normalitetin europian.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një bashkëbisedim në ambientet e librarisë “Tirana Times”, me një grup të rinjsh që studiojnë dhe kanë mbaruar studimet në universitetet jashtë vendit.

Në një kohë kur të rinjtë po ikin përditë nga Shqipëria, kreu i opozitës e cilësoi kthimin e këtyre studentëve ekselentë në atdhe si një mesazh shprese për ndryshimin që kërkon vendi. “Shumëkush që na ndjek do ta ndjejë atë vibër frymëzimi dhe shprese dhe besimi, që ofron vetë prania juaj, kthimi juaj në atdhe, në Shqipëri, kur mundësitë i keni pasur për të qëndruar jashtë që me siguri është shpresë jo thjesht dhe vetëm për familjet tuaja, por për të gjithë shoqërinë dhe është synimi, objektivi kryesor i imi personal dhe i Partisë Demokratike.”, -tha Basha.

Ndërkohë, të rinjtë shprehën shqetësimet e tyre para Bashës, ku parësorja sipas tyre është vështirësia për të krijuar sipërmarrje të reja.

“Një instrument që përdoret dhe nga vendet e Perëndimit është stimulimi i Startup-eve të reja, pikërisht duke i mundësuar rinisë, të rinjve që duan të krijojnë një sipërmarrje të tyren kredi me interesa të favorshme dhe me një lehtësim, sa i përket kolateralit dhe aspekteve të tjera, sa i përket ndërtimit të modelit të biznesit. Me të vërtet Shqipëria mund të mos ketë në afat shkurtër mundësi financiare për të ndërtuar një skemë masive në këtë drejtim, por që ta orientojë një mekanizëm me mbështetje shtetërore, një fond garanci shtetërore drejt sektorëve prioritar të zhvillimit, që mund të jenë turizmi apo teknologjia e informacionit apo të tjera aktivitete prodhuese dhe ekspozuese, këtë Shqipëria mund ta bëjë. Për mua nuk ka prioritet më real sesa të mbështesim sipërmarrjen rinore standarde dhe të mbështesim punësimin e të rinjve, duke sjellë edhe stimulim fiskal edhe stimulim financiar për sipërmarrjet e tjera që punësojnë të rinjtë, duke përfshirë këtu të rinjtë që kthehen nga jashtë”, – u shpreh kreu i opozitës.

 

 

Por që të ketë punësim dhe mundësi biznesi për të rinjtë, Basha tha se duhet të ketë një ekomomi të lirë dhe të shëndetshme.

“Problemi kryesor i ekonomisë sot është monopolizimi, fakti që gjithë ekonomia vërtitet rreth 3-4 klientëve të qeverisë. Aty shkojnë lejet e ndërtimit, aty shkojnë lejet dhe licencat ekskluzive, aty shkojnë tenderat, aty shkojnë koncesionet, aty shkojnë PPP. Si mund të presësh që aktorët e tjerë në treg që kanë ide, që kanë plane që kanë inovacion, kanë dëshirën, kapitalin apo aftësinë për të marrë kredi dhe për të investuarm ta bëjnë këtë kur ata që duhet ta mundësojnë fushën e barabartë të lojës në treg, që është qeveria, është sundimi i ligjit, janë praktikisht ata që e kanë shkatërruar fushën dhe në këtë mënyrë krijohet një kulturë e frenimit të iniciativës, të favorizimit të një grushti njerëzish me lidhje dhe ndëshkimit të gjithë pjesës tjetër të shoqërisë”. Një nga të rinjtë, ngriti edhe shqetësimin e rritjes së arrogancës së qeverisë, që si pasojë ka riformatimin e një shoqërie indiferente.

“Ajo që më shqetëson mua sot pas të gjitha këtyre që kanë ndodhur, nuk është vetëm kjo arrogancë sistematike që qeveria tregon, por kjo arrogancë sistematike është duke riformatuar një shoqëri indiferente, një shoqëri ose një qytetari, një qytetar i cili ka humbur besimin se vota realisht mund të ndryshojë diçka. Jemi në pikën kur në një protestë të fundit që u mbajt për disa ditë më parë këtu në Tiranë, ne shikojmë që ajo shtresë shoqërore që mori pjesë në protestë janë adoleshentë dhe të rinj, sepse për mendimin tim janë pikërisht këta që nuk janë përballur akoma me arrogancën e vendit, me arrogancën e qeverisë. Janë këta që janë akoma me ide infantile, ide të thjeshta, ide të bukura, të pastra, të qarta sepse prindërit e tyre, apo dhe ata në moshën time e më të vjetër se unë, në njëfarë mënyrë e kanë thyer hundën në përballjen me qeverinë. Unë mendoj që ka ardhur momenti që e para njëherë, kjo arrogancë duhet të marrë fund nga çfarëdo force politike që të vijë në pushtet dhe ka ardhur momenti që qytetarëve t’u jepet e drejta për të qenë pjesë e vendimmarrjes”, – u shpreh Julian Beqiri, student arkitekture në Holandë.

Por për shefin e opozitës, ka ende shpresë për këtë vend, pasi sipas tij, ndryshimi ka dhe do të ketë fytyrën e rinisë.

“Shqipëria është me fat që jemi këtu dhe unë jam me fat. Së bashku do ta ndryshojmë, për këtë mos keni asnjë pikë dyshimi. Edhe unë kam qenë në pozita të tilla. Mos harroni, nuk jam këtu sepse kam qenë këtu përherë. Kam qenë student jashtë, kam parë me trishtim të madh ndryshimin që rritej midis shoqërisë ku jetoja dhe studioja dhe shoqërisë shqiptare, dhe kam qenë 1000% i bindur, i motivuar që Shqipëria mund të ecte ne hapat e duhur dhe nuk do t’i mungonte asgjë. Përkundrazi, ne e njohim shoqëritë ku kemi studiuar e punuar, asgjë nuk na mungon, asgjë nuk ju diferencon ju me rininë bashkëkohore europiane. Në shumë raste mbiperformoni, sepse jeni akoma më të motivuar se sa ata që kanë një kohë të gjatë që shijojnë frytet e mirëqenies e demokracisë e lirisë. Kur e ke këtë motivim dhe kur bën punë ashtu siç duhet, gjërat ecin përpara. Ka qenë gjithmonë kështu, nuk ka pse të jetë ndryshe. Ka qenë një kohë kur vendi ecte përpara, kur kishte vetëbesim shoqëria, ekonomia, ku ndërtohej infrastruktura, kur hiqeshin vizat, kur futej vendi në NATO dhe kjo e gjitha reflektohej në klimën e përgjithshme psikologjike, ekonomike, shoqërore, po natyrisht i takon qeverisë të japë impulse pozitive, siç i takon prindit ta udhëheqë fëmijën dhe familjen drejt mirëqenies apo drejt harmonisë, ashtu i takon qeverisë të japë shembull. Ka ardhur koha tani që çdokush që e do këtë vend te bëhet pjesë e ndryshimit. Ndryshimi s’mund të vijë për shkak të një njeriu të vetëm. Ndryshimi ka dhe do të ketë fytyrën e të gjithë atyre që janë jo thjesht të tejngopur me situatën aktuale, por të vendosur për ta ndryshuar atë. Qeveria e ardhshme ka për detyrë ta drejtojë këtë ndryshim dhe këtë do të bëjë. Për këtë zotohem që ne do ta drejtojmë këtë ndryshim. Unë do ta drejtoj këtë ndryshim duke pasur kriter dhe parim bazë vetëm standardet europiane. Por për këtë duhet ndihma e të gjithëve, duhet që askush të mos bëjë kompromis me të keqen. Sigurisht, gabime do të ketë edhe dështime mund të ketë, por për sa kohë që nuk ka kompromis me të keqen, për sa kohë që ajo që na frymëzon e na motivon është bindja se Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të siguruar normalitetin europian, për të siguruar shtetin e së drejtës, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të siguruar një ekonomi reale, funksionale, që krijon vende pune.- iu tha Basha të rinjve.

Të Fundit