“E kam pasur si vëlla”, dëshmia e 28-vjeçarit që vrau shokun: Nuk e dija që arma kishte fishekë, isha i tronditur ndaj… – Stop
Aktualitet, Të Gjitha

“E kam pasur si vëlla”, dëshmia e 28-vjeçarit që vrau shokun: Nuk e dija që arma kishte fishekë, isha i tronditur ndaj…

TIRANË

Zbardhet dëshmia e 28-vjeçari Marius Dema, i cili mbrëmjen e 10 majit vrau shokun e tij.

Gjithçka e thënë prej tij oficerëve të policisë gjyqësore dhe hetuesve shpreh pendesë. Vazhdimisht gjatë dëshmisë së zbardhur thuhet se autori ishte shumë i tronditur.

Ai ka deklaruar se viktimën, 27-vjeçarin Mehmet Qema e kishte si vëlla, shumë shok të ngushtë dhe se nuk e dinte se arma me të cilën po luante kishte fishekë.

“Mbrëmjen e 10 majit rreth orës 22:30 po qëndroja jashtë lokalit tek rruga “5 maji’, bashkë me disa shokë të mi, Erlin Pekën, Mehmet Qemën, Frenkli Myftarin, Blerim Hotin, Xhuliano Koçi. Xhuliano ishte pak i spostuar nga tavolina ku por qëndronim. Pasi kisha pirë pak me shokët gjatë kohës që po luaja dhe po bëja shaka me Xhulianon dhe me Met Qemën, me një armë pistoletë që e kisha gjetur, pa dashje kam shkrepur armën dhe e kam qëlluar aksidentalisht Metin”, ka thënë 28-vjeçari Dema.

Me përgjegjësi të plotë ai deklaron se çdo gjë që kishte ndodhur ka qenë e pavullnetshme nga ana e tij. “Metin e kam pasur si vëlla dhe shumë shok të ngushtë dhe nuk kam pasur me të asnjëherë në asnjë rast konflikt dhe për këtë që ka ndodhur jam shumë i penduar. Shkrepja e armës ka ndodhur në mënyrë të pavullnetshme dhe nuk e dija se arma me të cilën po qëlloja kishte fishekë në të”, ka thënë më tej i riu. Ai ka deklaruar se ishte shumë i tronditur nga ana psikike dhe mbante mend se arma kishte qenë në tavolinë dhe ai e kishte marrë për të luajtur me të dhe çdo gjë kishte qenë aksidentale.

“Për momentin isha komplet i tronditur dhe u largova nga vendi i ngjarjes dhe armën e hodha në afërsi të një servisi që ndodhej aty pranë, pastaj vetëm kam qarë gjatë gjithë kohës. Metin e kisha shumë shok dhe shumë mik”, ka rrëfyer 28-vjeçari.

Më pas kishte vajtur tek Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe ishte dorëzuar. Ai ka deklaruar vazhdimisht se ndihet shumë i tronditur nga ana psikike.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *