“Dy kamera të fshehta te selia e LSI”, Bahri Shaqiri: ‘Jo profesionistë’, kur bënë presion treguan pamjet

Bahri Shaqiri është kandidat i LSI në Qarkun e Durrësit për zgjedhjet e 25 prillit. Emri i tij është i renditur i dytë në këtë qark pas Elona Gurit.

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror duke folur për denoncimin që ka bërë dega e LSI në Durrës se disa persona kanë vendosur kamera përgjuese në selinë e saj në Durrës.

Z. Shaqiri pa përmendur emra, tha se bëhet fjalë për një grup që po shantazhon mbështetësit e LSI me anë të këtyre pamjeve.

“Janë gjetur dy kamera në hyrje të zyrave qendror të LSI. Ata që kanë vendosur kamerat, kanë vendosur edhe në vende të tjerë kamera. Në çdo aktivitet të LSI në Durrës këta persona kanë shkuar duke kërkuar pamjet e kamerave të sigurisë. Qëllimi është për t’u bërë presion simpatizantëve të LSI për t’u larguar nga LSI”, u shpreh ai.

Ish-këshilltari i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare la të kuptohej se bëhet fjalë për persona pranë PS, që tashmë janë në hetim nga Prokuroria e Durrësit.

“Këta persona duke qenë jo profesionistë edhe kur bëjnë presion kanë treguar pamjet, në këtë mënyrë të trashë nga këndi i pamjeve është gjetur dhe vendi i kamerave. Ia lëmë policisë dhe prokurorisë që t’i japë zgjidhje”, deklaroi z. Shaqiri duke e cilësuar këtë si një metodë të vjetër presioni që nuk do të japë efekt në zgjedhje.

Të Fundit