“Duhet të mbrojmë të drejtat tona”, mjekët e Spanjës në protestë për kushte më të mira pune.

I gjithë personeli mjekësor në Madrid mbajti një protestë, e para e një serie grevash ditore, për të kërkuar kushte më të mira pune.

Duke mbajtur banera me shkrimin “Të shpëtojmë shëndetësinë”, mjekë e infermiere qëndruan me duart kryq përpara Parlamentit dhe spitalit kryesor të kryeqytetit në shenjë sfide.

Greva do të mbahen të martën e çdo fund muaji. Sindikata e doktorëve që e organizon atë vlerësoi se rreth 85% e mjekëve të Spanjës janë gati të bëhen pjesë në të.

“Këtu në Madrid ne kemi kushte shumë të këqija pune, kemi një nivel pune të përkohshëm të papërballueshëm, nuk kemi të drejtën e pushimit javor, që është me ligj, ndaj na duhet të mbrojmë të drejtat tona,” – tha Daniel Bernabeu, njëri prej mjekëve.

Që nga rënia e pandemisë së coronavirusit, mjekët në Spanjë kanë qenë të mbingarkuar dhe kanë lëvizur mes departamenteve të ndryshme, duke cenuar kështu cilësinë e shërbimit.

“Ne kërkojmë që të mos lejohet lëvizja e profesionistëve nga njëri departament në tjetrin, sepse kjo do të prekë cilësinë e kujdesit. Unë jam këtu si mjeke, por edhe si paciente,” – tha Silvia Fernandez Sanchez, një tjetër mjeke.

Njësitë e terapive intensive në Spanjë mund të arrijnë një situatë kritike nga gjysma e nëntorit, teksa vendi po rezulton një nga vatrat më të këqija të COVID-19 në Evropë.

Totali i rasteve me coronavirus u rrit me mbi 50 mijë njësi në fundjavë, duke shkuar mbi 1 milion e 98 mijë ditën e hënë, ndërsa vdekjet llogariten mbi 35 mijë

Të Fundit