“Do punësojmë 380 shqiptarë dhe turq”, Rama e Manastirliu në spitalin e ri të Fierit: Standarti do të jetë ekselent!

 

FIER

“Në spitalin e ri të Fierit, i cili po ndërtohet me standardet më të larta, do të nisë të aplikohet autonomia spitalore”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit me Kryeministrin Edi Rama në spitalin e ri Memorial të Fierit.

 

Duke e konsideruar një qendër të transferimit të dijes, Manastirliu tha se në këtë spital do të ketë mjekë dhe infermierë turq dhe shqiptarë.

 “Ky spital do të ketë 380 të punësuar, pra mjekët, infermierë, gjithashtu dhe punonjës të shërbimeve, ku në vlerësim me palën turke do të jenë mbi 50 mjekë dhe infermierë të cilët do të vijnë nga Turqia për të na dhënë modelin dhe për të bërë pikërisht transferimin e dijeve dhe të teknologjisë gjithashtu l, sepse ky spital do të ketë dhe një teknologji bashkëkohore, përsa i përket pajisjeve dhe aparaturave që janë porositur dhe besojmë që gjatë fundit të Marsit do të vijnë dhe pajisjet dhe mobilimi i spitalit”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se spitali i ri i Fierit do të ketë një kapacitet 150 shtretër dhe do të mundësojë shërbime ekselentë dhe pranë vendbanimit për rajonin e Jugut.

“Standardi i ofrimit të shërbimit do të jetë ekselent, janë të gjitha dhomat teke për 150 shtretërit, 20 shtretër të terapisë intensive, që është praktikisht e përfunduar”, tha Manastirliu.

Spitali i ri Memorial, i cili po ndërtohet me mbështetjen e qeverisë turke, do të mundësojë shërbime të aksesueshme pranë vendbanimit të qytetarëve të rajonit të jugut, që përfshin 3 qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, për 540 000 mijë banorë. Projekti pilot i autonomisë spitalore, do të nisë të zbatohet me këtë spital dhe më pas do të shtrihet në spitalet e  tjera.

 

Të Fundit