“Dita ndërkombëtare e kafes”/ Sa të apasionuar janë shqiptarët pas saj!

E shkurtër apo e gjatë, me qumësht apo shqeto, kafeja është pikënisja e ditës për shumë nga ne. Kafeja njihet për efektet që jep në organizmin e njerëzve. Kafenetë janë bërë vend i parapëlqyer i shqiptarëve. Për të apasionuarit pas kafesë sot është dita ndërkombëtare e kësaj pijeje popullore. Për disa njerëz, pirja e kafes çdo mëngjes është diçka e zakonshme…

Për të tjerë është fillimi i një dite të gjatë e të lodhshme.

Organizata Ndërkombëtare e Kafes e shpalli 1 tetorin si ditë të veçantë për nder të kafes, si pijen që shënon fillimin e një dite dhe si një nga pijet më të dashura në botë.

Ndër të dhënat e INSTANT  një shqiptar konsumon mesatarisht 3.1 kg kafe në një vit, më e ulëta në rajon.

Të parët në rajon për konsumin më të lartë të kafesë janë serbët.

Një serb konsumon mesatarisht 5.4 kilogramë kafe për frymë. Të dytët renditën boshnjakët me 4.3 kilogramë për frymë. Ndër vendet me konsumin më të lartë për frymë të kafesë janë Vendet Skandinave. Vendi i parë në botë për konsumin e kafesë është Finlanda me 9.1 kilogramë kafe për frymë në vit. Të dytët me konsum të lartë renditen norvegjezët, të cilët sipas të dhënave, konsumojnë rreth 7.2 kilogramë për person gjatë një viti.

Vendet aziatike më pak

Nga të dhënat e përpunuara të konsumit të kafesë për frymë, vendet aziatike kanë sasinë më të ulët të konsumit për frymë të kafesë në botë. Kjo lidhet edhe më kulturën e këtyre vendeve, të cilët konsumojnë çaj në vend të kafesë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të Fundit