Dita e Tokës, Veliaj: E mbyllim këtë sezon me 114 mijë pemë të mbjella në Tiranë

Në Ditën e Tokës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, iu bashkua aksionit për mbjelljen e rreth 100 pemëve të reja pranë Parkut të Liqenit. Ai tha se këtë sezon janë mbjellë 114 mijë pemë në Tiranë.

“Ç’kënaqësi e madhe të kthehesh në Ditën e Tokës në një vend ku shënjohet shembulli më i madh i transformimit të Tiranës. Ky territor ku jemi, sot ka mijëra pemë, por dikur ishte i tëri i pushtuar me kioska, digjej plastikë, ishte një tokë djerrë, që përshkohej tej e tej nga kanalet e ujërave të zeza. Ishte një mrekulli e lënë në harresë, një zonë e pakalueshme për pjesën më të madhe të qytetarëve, duke filluar nga diga pranë Kopshtit Zoologjik, e deri tek disa nga shkollat private në anën tjetër të Liqenit. Fakti që sot kemi dyfish më shumë hapësirë tek Liqeni, dhe fakti se kemi thyer një rekord me mbjelljen e 114 mijë pemëve, na bën të ndihemi shumë krenarë”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se falë nismës së bashkisë 7 vite më parë, por edhe mbështetjes së mjaft kompanive e qytetarëve, objektivi për 2 milion pemë deri në vitin 2030 është mëse i arritshëm.

“E di që Tirana ka shumë nevojë për 1 milion apo 2 milion pemë, por kjo nuk arrihet po nuk mbollëm nga 100 mijë çdo vit. Falë miqve, shokëve edhe ortakëve të mi më të mëdhenj, që janë të gjithë fëmijët e Tiranës, kemi emancipuar jo vetëm klasat dhe shkollat, por sidomos prindërit dhe familjet, dhe kjo është prova e asaj se çfarë bën dora e njeriut kur mobilizohet. Pas kësaj, edhe ata që kanë një përgjegjshmëri sociale thonë, “patjetër, do kujdesemi për qytetin”. Në 7 vite radhazi kemi mbjellë sistematikisht mbi 100 mijë pemë në vit dhe jemi duke iu afruar objektivit 1 milion pemë, për të prodhuar më shumë oksigjen për Tiranën,” tha kryebashkiaku.

Të Fundit