Dita Botërore e Turizmit/ Mbi 5.6 milionë shtetas të huaj kanë vizituar në tetë muaj Shqipërinë

Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Turizmit.

27 shtatori është datë që është zgjedhur për të përkuar me një moment të rëndësishëm në turizmin botëror, përvjetorin e miratimit të Statutit të Turizmit Botëror më 27 shtator 1970.

Organizata Botërore për Turizëm e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) është agjenci e Kombeve të Bashkuara, përgjegjëse për promovimin e turizmit me qasje të besueshme, të qëndrueshme dhe universale.

Këtë vit mesazhi në të gjitha vendet anëtare të UNWTO është “Rethinking Tourism”.

Shqipëria është kthyer sot në një destinacion të preferuar turistik falë pamjeve mahnitëse, vendeve interesante historike, kulturës dhe traditës së veçantë, si dhe mikpritjes së shqiptarëve.

Më shumë se 5.6 milionë shtetas të huaj kanë vizituar në tetë muaj Shqipërinë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në raport me 8-mujorin e vitit të kaluar numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri është rritur me 29.3%.

Vetëm në gusht sipas INSTAT në vend kanë hyrë 1.7 milionë të huaj.

Organizata Botërore e Turizmit e ka renditur Shqipërinë të katërtën në botë për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit. Kjo renditje tregon rimëkëmbjen e këtij sektori për sa i përket flukseve ndërkombëtare gjatë pesë muajve të parë të vitit 2022.

Sipas OBT-së, Shqipëria ka një përmirësim me +11% nga viti 2019, i cili ka qenë viti më i mirë për sa i përket hyrjes së vizitorëve të huaj në vendin tonë.

Të Fundit