Dhuna e tifozëve/ 80 huliganë kthehen në Itali, iu sekuestrohen thika dhe leva

Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar lidhur me përplasjet e ndodhur mbrëmë në Tiranë me tifozët e Romës dhe Feyenoordit.

Autoritetet thonë se gjatë mbrëmjes së djeshme, fillimisht një grup tifozësh të njërës nga skuadrat finaliste, kanë lëvizur në drejtim të stadiumit “Air Albania”, me qëllim për të tentuar një përplasje me një grup tifozësh të skuadrës tjetër finaliste.

Shërbimet e Policisë së Rendit Publik kanë tentuar të ndalojnë grupin e tifozëve të skuadrës Feyenoord, në rrugën “Mustafa Matohiti”, por ata në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë, me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Një grup tjetër i tifozëve të skuadrës së Romës kanë lëvizur në drejtim të urës pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe më pas edhe në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku edhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë, duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave finaliste, janë plagosur 19 punonjës të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, njëri prej të cilëve është plagosur me armë të ftohtë (thikë), të cilëve u është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore, si dhe janë dëmtuar edhe katër automjete shërbimi të Policisë së Shtetit.

Në qendrat spitalore, gjatës natës së shkuar janë drejtuar për ndihmë mjekësore 10 shtetas, nga të cilët 5 shtetas shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar.

Janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Shtetit, 60 shtetas tifozë problematikë nga të dy skuadrat, nga të cilët 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë, për përfshirje në aktet e dhunshme dhe kundërshtimin e punonjësve të Policisë.

Atyre u janë sekustruar leva, doreza hekuri, shkopinj druri, gurë, thika, lëndë piroteknike etj, për të cilët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po kryhen veprimet procedurale penale dhe hetimi do të vazhdojë në vijim.

Gjithashtu, sot në orët e para të mëngjesit janë “deportuar” nëpërmjet Portit të Durrësit, 80 tifozë huliganë italianë, për të cilët përveç largimit të tyre, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit.

Policia u kërkon bizneseve në Tiranë, që të mos tregtojnë pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi, pasi përbëjnë rrezik në rast përfshirje të konflikteve fizike.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës që të mos provokohen nga individë apo grupe tifozësh të cilët mund të jenë nën efektin e alkoolit dhe të njoftojnë menjëherë në 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo tentativë të prishjes së rendit dhe sigurisë.

Policia e Shtetit është e vendosur dhe e motivuar për të garantuar një ditë të qetë dhe festive në Tiranë, në mënyrë që të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj të shijojnë dhe të gëzojnë një ndeshje ndërkombëtare futbolli, me tërësinë e përmasave që ajo përcjell në vendin tonë dhe në Evropë.

Të Fundit