Devijimi i rrugës në Rinas, kreu i ARRSH: Zgjidhje provizore

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi shprehet se ndryshimi i sensit të lëvizjes në rrugën e Rinasit është një zgjidhje provizore, e cila mund zgjas deri në sezonin veror.

Berberi sqaroi për mediat se kjo bëhet për të mos dëmtuar turistët që sjellin të ardhura shtesë në vend.

“Kjo është një zgjidhje provizore. Jemi duke i dhënë një zgjidhje që të kemi një rrugë tjetër që të na çojë në aeroport. Shpresoj që brenda muajit Korrik të kemi në përfundim këtë segment. Ky vendim është marrë në një studim të thellë të bërë, banorët e zonës kanë problemet e tyre, por kanë një zgjidhje. Mund të kryejnë një lëvizje me 2-3 km me tepër. Në një raport të madh është bërë një zgjidhje teknike për të mos dëmtuar ata që do na sjellin të ardhura shtesë”.

Kreu i ARRSH tha se banorët mund të përdorin disa rrugica për të lehtësuar lëvizjen. “Segmenti në drejtim të Ahmetaqit ka një sens lëvizje nga rrethrrotullimi në Ahmetaq, por ka disa rrugica që mund të përdoren nga komuniteti. Një nga rastet është rruga e xhamisë që mund të përdoret si unazë e vogël. Kemi një segment tjetër që lidh zonën e Ahmetaq-Prezës me fshatin e Rinasit nga rruga Fushë Krujë Vorë dhe kemi edhe rrugën në drejtim të Kamzës ku mund të përdoret rruga e Valiasit”.

Zgjidhja përfundimtare është menduar të jetë krijimi i një rruge të re në zonën e ish-repartit ushtarak që të nxjerr në aeroportin e Rinasit.

“Kjo situatë është marrë masa duke qenë se jemi para sezonit. Kemi fluks të shtuar. Janë shtuar linjat që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria. Kemi pritshmëri që të shtohen me 30% më tepër fluksi në këtë zonë. Kemi marrë përsipër që në fund të sezonit veror të kemi një zgjidhje përfundimtare që të marrin fund edhe problemet për banorët. Plani nuk është zgjerimi i rrugës. Një nga opsionet është krijimi i një rruge të re nga ish-reparti ushtarak që del direkt në aeroport”.

Berberi kërkoi mirëkuptimin e banorëve të zonës për të kaluar këto problematika, duke parë të mirën e përbashkët që janë të ardhurat nga turistët.

Të Fundit