“Deri në vitin 2030 Tirana me autobusë elektrikë”,Veliaj:Pse s’mund të kemi metro

Ditën e sotme Bashkia e Tiranës ka prezantuar flotën e gjelbër të autobusëve elektrikë, të cilët do të jenë pjesë e transportit publik në kryeqytet.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ,u shpreh sot se objektivi i Bashkisë së Tiranës është që në vitin 2030, 100% e flotës së autobusëve të jetë elektrike.

Përveç transportit urban, tha Veliaj, sot kemi mbi 15 kompani të taksive elektrike në Tiranë, të cilat përbëjnë 50% të flotës së totalit të taksive që qarkullojnë në kryeqytet. Kjo do të thotë se taksitë elektrike janë më ekonomike për qytetarët, pasi përdorin energjinë elektrike të subvencionuar nga qeveria, çka bën që udhëtimi të jetë më i lirë se taksitë normale.

“Plani ynë është që brenda 2030-ës, flotën e autobusëve ta kemi 100% elektrike. Të njëjtën gjë po bëjmë dhe me mjetet që përdorin institucionet e Bashkisë së Tiranës. Kemi filluar me Policinë e Shtetit, jam i sigurt se edhe qeveria do të investojë që çdo blerje e ardhshme e mjeteve të jenë mjete elektrike. Sot Tirana është një nga kryeqytetet me më shumë taksi elektrike në rajon. E gjithë flota e mjeteve të Policisë Bashkiake është elektrike. Nëse vazhdojmë me këtë rritje dhe me përgjigjen pozitive të tregut, me uljen e TVSH-së për mjetet elektrike dhe akses të menjëhershëm në transport me taksi, besoj se nuk do të jetë e largët dita kur Tirana të jetë realisht qyteti ku udhëtohet vetëm me transport elektrik”, nënvizoi Veliaj.

Më tej kreu i Bashkisë së Tiranës tha se çmimi i biletës së transportit në Tiranë është më i ulti në rajon dhe siguroi qytetarët se do të vijojë të jetë i pandryshueshëm.

Ndër të tjera Veliaj theksoi se Tirana nuk mund të ketë një Tram apo metro për shkak të kostove të larta të ndërtimit.

“Ne kemi bërë një skaner të gjithë tregut. Në të gjitha rajonin çmimi i autobusit është më i ulëti. Në Tiranë çmimi i biletës së urbanit është 40 lekë, në Prishtinë 50 cent. Kush del proteston që u rrit çmimi i autobusit, sa ka zbrit nga makina dhe gënjen. Bashkia filloi që përpara krizës së naftës për të subvencionuar shërbimin, pas krizës së naftës ështe dhe qeveria që subvencionin çmimin e karburantit për kompanitë. Së bashku me projektin e GIZ ne duam të kthejmë tre linja të Tiranës të autobusit, linjën Kinostudio-Kombinat, Unazën dhe e Tiranën e Re me korsi të dedikuara, për të funksionuar si tram ose metro por me rrota. Ka shumë njerëz që thonë pse nuk bëjmë një Tram, ose një metro. Së pari se nuk gënjejmë për fushatë. E dyta është “llogari Olimbi”. Shumë vende të Ballkanit përballojnë metronë vetëm fal subvencione pasi janë vende të Bashkimit Evropian. Një kilometër metro kërkon 300 milionë euro nëse bëhet nga një kompani europiane dhe 250 milionë euro nëse bëhet nga një kompani kineze. Janë buxhete të papërballueshme për stadin ku ndodhet Shqipëria. Kështu sa të japim iluzionëe për gjëra që sna i mban xhepi deri sa të hyjmë në BE dhe si përballojmë duhet të gjejmë zgjidhje alternative.”, tha Veliaj.

Të Fundit