Deputeti i PS bëri urimin me foton e Enver Hoxhës, Balla: I kanë marrë celularin

Pas postimit të bërë nga deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, në një grup në “WhatsApp”, duke uruar 28 nëntorin me foton e ish-diktatorit Enver Hoxha, ka ardhur edhe reagimi i kreut të grupit Parlamentar të PS, Taulant Ballës.

Përmes një prononcimi për mediat, Balla tha se ka marrë një sqarim nga deputeti Çela dhe se kanë të bëjnë me një rast të marrjes së celularit të Çelës dhe përdorimit të tij nga persona të tretë.

Ai gjithashtu tha se derisa të bëhen të gjitha verifikimet e nevojshme do të vendoset nëse do të merret masë disiplinore ndaj tij.

Balla foli pas nderimeve që bëri në varrezat e Fierit, dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare.

“Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë. Kjo do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e kodit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të ketë verifikime. Do i kërkoja të gjithë kolegëve të tjerë të raportojnë raste të tilla dhe natyrshëm që grupi parlamentar i PS ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore”,-tha Balla.

Ndërsa nga urimi i Çelës ka pasur edhe reagime të shumta nga deputetët e opozitës, të cilët e kanë cilësuar këtë hap, si fyes dhe poshtërues.

Të Fundit