Deputeti i PD: Basha ka një bllok që t’ia dorëzojë Berishës. E ka temperaturën e trupit 35°

Humbja në zgjedhjet lokale të 6 marsit, u pasua me një seri mbledhjesh në Partinë Demokratike, që më pas sollën edhe dorëheqjen e kreut të kësaj partie Lulzim Bashës.

I ftuar në emisionin “ABC Live”, deputeti demokrat, Dashnor Sula ka treguar edhe debatet në këto mbledhje para se Lulzim Basha të ikte nga posti i drejtuesit të PD, pas 9 vitesh.

Duke thënë se hija e Berishës e ka ndjekur gjithmonë Lulzim Bashës, Sula ka theksuar se ky i fundit në çdo mbledhje nuk bënte asnjë lloj debati por vetëm mbante shënim në një bllok të tij.

Këtë bllok shënimesh sipas Sulës, ish kreu i PD-së ia ka dorëzuar liderit të përjetshëm të PD-së, duke iu referuar kështu Sali Berishës.

“Më bëri përshtypje se gjatë 5 orëve Basha nuk debatoi me një deputet. Dhe vetëm shkruante. Dhe në momentin që fliste shpejt dikush, Basha u thoshte që prit mos flit shpejt se do e shkruaj këtë. I merrte të gjitha shënim, 5 orë. Nuk u kuq nuk u verdh dhe aq më tepër për t’u nxirë. Kurrë nuk bëri debat dhe vetëm shkruante.” tha Sula.

Deputeti Sula duke cituar fjalët e tij në mbledhje ka shtuar se edhe pse foli për 35 minuta, Lulzim Basha ia ka mbajtur të gjitha shënim.

“Janë dëshmitarë deputetët, u kam thënë që Basha duhet ta ketë temperaturën e trupi 35 gradë. Është i ftohtë, nuk kuqet nuk zverdhet nuk i lëviz nervi është rast për studim. Këtë kam thënë.” ka shtuar Sula.

“Më 12 mars kam folur 35 minuta në mbledhje dhe Basha vetëm shkruante dhe i mbajti shënime. Arsyeja se pse Basha ka mbajtur shënim në bllokun e tij, të gjitha fjalë nga data 7 mars deri në më 12mars është që ai të jetë një bllok që do i dorëzohet kryetarit të përjetshëm të PD. Që të kuptojë se cilët janë sjelljet dhe qasjet të secilit deputet në mentalitetin e tyre kanë për të vazhduar grupin parlamentar.”

“Ky bllok është që një kopje e ka zoti Basha dhe një kopje të jetë dorëzuar në një vend tjetër për të kuptuar çasjen dhe sjelljen të secilit deputete, se si do të jetë gjendja tani në PD dhe Grupin Parlamentar. Unë e shoh të zymtë. Dhe deklarata që është unifikuar nuk është e vërtetë. “ tha Dashnor Sula.

Të Fundit