“Dental turk” në telashe, grup verifikimi nga ISHSH, duhet licensë e posacme. 12 prill 2018 – Stop
Të Gjitha

“Dental turk” në telashe, grup verifikimi nga ISHSH, duhet licensë e posacme. 12 prill 2018

Pak kohë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e qytetarit Kastriot Frangu, i cili kishte bërë protezën e gojës te klinika dentare “Dental Turk”. Ai rrëfeu se kishte probleme me këtë protezë, por klinika nuk e dëmshpërbleu dhe as ia ribëri protezën.

“Ky vendim që kanë marrë ndaj Denisës nuk më zgjidh mua problemin tim. Prandaj erdha këtu të riankimoj vendimin se nuk jam aspak i kënaqur për problemin tim”, u shpreh Kastriot Frangu.

Juristi i Urdhrit të Stomatologut, Alban Peca tha se palët e pakënaqura nga vendimi i Komisionit të Shkallës së Parë Disiplinor mund të ankimojnë brenda 30 ditësh në Komisionin e Apelit, nga ku vendimi del brenda 60 ditëve dhe është përfundimtar.

Ai u shpreh se ligji numër 127 i USSH nuk e parashikon kthimin e parave apo ribërjen e protezës, pasi ky institucion kryen vetëm gjykimin profesional të dëmtimeve që i shkaktojnë stomatologët pacientëve.

Juristi Peca shtoi: “Ministria dhe inspektoriati kanë kompetencën për të ndërmarrë veprime ndaj klinikës”.

Në këto kushte, qytetari ankimoi në Komisionin e Apelit të Urdhrit të Stomatologut.

Nga ana tjetër, kryeinspektori i Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror, Eltar Deda tha se ka ngritur një grup ekspertësh për verifikimin e rastit.

“Inspektimi fillon sot dhe do të jetë në themel për të parë të gjithë veprimtarinë e kësaj klinike. Ne bashkë me USSH do të nxjerrim përfundimet e duhura dhe do t’ju vëmë juve në dispozicion të gjithë materialin”, u shpreh kryeinspektori.

Urdhri i Stomatologut vendosi që drejtuesi teknik i klinikës të jetë stomatolog dhe klinika të ketë të paktën 3 të tillë. Drejtuesi teknik, sipas këtij vendimi, duhet të pajiset me licencë të veçantë nga USSH.

“Këtë shkresë ia kemi dërguar edhe QKB-së që në licencën që do të japë për klinikat dentare të mëdha t’ju kërkojnë licencën e dhënë nga USSH për drejtues teknik. Është licencë e veçantë”, tha juristi i Urdhrit të Stomatologut.

Ai shtoi se nuk do të lejohen më, në klinikat dentare, drejtues teknikë që nuk kanë eksperiencë mbi 5-vjeçare në stomatologji.

Gazetarja e emisionit “Stop” tregon se pacientin Kastriot Frangu e mbron dhe ligji, pasi sipas Kartës Shqiptare të të Drejtave të Pacientit, ka të drejtën e ankimimit dhe kompensimit të dëmtimit fizik, moral apo psikologjik, që ka ardhur si pasojë e një trajtimi të shërbimit shëndetësor.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *