COVID rrënon financat e BE, vendet anëtare kërkojnë faljen e borxheve nga BQE

Banka Qendrore Evropiane duhet të shqyrtojë anulimin e borxhit qeveritar që blen gjatë koronavirusit, për të ndihmuar vendet të rikuperohen nga rrënimi ekonomik.

Kështu raporton agjencia Bloomberg, që citon nënsekretarin e qeverisë italiane, Riccardo Fraccaro, këshilltar i afërt i kryeministrit Conte.

“Politika monetare duhet të mbështesë politikat ekspansioniste fiskale të shteteve anëtare në çdo mënyrë. Kjo duhet të përfshijë anulimin e bondeve supreme të blera gjatë pandemisë, ose të zgjasë vlefshmërinë e tyre”, ka deklaruar Fraccaro.

Borxhi qeveritar në zonën euro pritet të arrijë nivelin më të lartë që prej 2014-s. Ndërsa niveli llogaritet në 95.1%, vendet me borxhin më të lartë individual janë; Greqia, Italia dhe Portugalia.

Qeveritë evropiane po grumbullojnë borxhin në mënyrë që të mbrojnë ekonomitë e tyre nga impakti i pandemisë, por mbajtja e interesave të ulëta do të thotë se kjo barrë është e qëndrueshme, në kundërshtim me kushtet e një dekadë më parë, që nxitën krizën e borxheve, deklaroi kryeekonomisti i BQE-së, Philip Lane.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane la të kuptohet se institucioni në fjalë do vijojë strategjinë e lehtësimit të politikës së tij minetare dhe atë të mbështetjes së tregut me një tjetër paketë stimuluese.

“Ruajtja e kushteve të favorshme të financimeve për sa kohë nevojitet është jetike për të mbështetur konsumin, për të ruajtur rrjedhin e kredive dhe për të dekurajuar shkarkimet në masë nga puna”, tha Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane.

Dikush mund të kundërshtojë se sa i qëndrueshëm është borxhi në rritje në terma afatgjatë, por me një krizë të paprecedentë të shkaktuar nga COVID-19, nuk ka alternativë veç stimujve fiskalë.

Të Fundit