Covid-19 apo Co-visa 20?!

      

Valbona Kurti

Si ka humbur kuptimin marrëveshja e lëvizjes së lirë në kohën e pandemisë…?  

Streha dhe cadrat janë të mjaftueshme në hyrje të ambasadës gjermane në Tiranë, për të mbrojtur ata pak qytetarë nga shiu i fundtetorit, ndërsa maskat në fytyrë dhe distanca prej më shumë se një metri tregojnë, se rreziku i koronavirusit është gjithsesi i pranishëm. Albani, një mjek i ri, që ka fituar një kontratë pune në një spital afër Mynihut, duhet të marrë vizën e punës, për të mos rrezikuar kontratën. Rreth dy muaj më parë ai kishte udhëtuar drejt Shqipërisë, për të kryer këtë proçedurë, por udhëtimi mes tamponëve të detyruar në kufij, maskave në avion, karantinës në kthim, i kishte shkuar dëm. Ambasada gjermane mbylli në mënyrë të papritur për afro dy javë shërbimet konsullore pa ndonjë lajmërim paraprak dhe në mënyrë po aq të beftë i rifilloi këto shërbime, pasi situata e virusit brenda stafit të saj u vu nën kontroll.

Udhëtimi drejt vendeve të BE-së për shtetasit shqiptarë, por edhe për të gjithë qytetarët e Ballkanit perëndimor, është bërë thuajse i pamundur që prej lock down-it të marsit. Në mes të gushtit në kufijtë tokësorë me Greqinë u panë radhë kilometrike, të shkaktuara nga qytetarë me origjinë shqiptare, por rezidentë në shtetin helen. Kriza afro një-javore shkaktoi një problematikë në kufijtë e katastrofës humanitare, ku mijëra qytetarë kaluan ditë dhe netë të gjata brenda makinave të tyre mes vapës, pandemisë, kequshyerjes dhe lodhjes së tejskajshme. Peripecitë e mbi 5 mijë personave mbaruan vetëm kur autoritetet greke kontrolluan secilin për testin negativ të tamponit, pasi u konsumuan dhjetëra fluturime humanitare me helikoperë dhe qindra kilometra të kamionëve dhe ambulancave për të asistuar qytetarët e bllokuar në kurthin e testit. Madje, një prej këtyre ambulancave u bë shkak i një tragjedie të mirëfilltë, kur një djalë 10-vjecar i preu rrugën në mënyrë të beftë. Dhe i gjithë ky grumbullim ishte vetëm për rezidentët në Greqi, kushti i të cilëve për të kaluar kufirin shqiptaro- grek, është pajisja me një dokument, që tregon, se udhëtari rezulton negativ në testin e Covid 19.

Por për të gjithë ata shqiptarë, që janë rezidentë në vende të tjera të Bashkimit Europian, rregullat janë të ndryshme nga ky i Greqisë. Nëse konsulton njoftimin zyrtar të Ministrisë për Evropën dhe punët e jashtme të Shqipërisë -“për  kufizimet e shteteve në raport me regjimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë”, vëren, se thuajse asnjë prej vendeve, që qeveriset nga Brukseli, nuk ka të njëjtat rregulla. Në Austri, përvec karantinimit dy javor, që duhet kryer në Vjenë duhet bërë dhe testi me koston përkatëse, që varion nga 100 deri në 200 euro. Në Itali duhet udhëtuar me mjet personal. Në Gjermani duhet treguar, se nuk ke udhëtuar më parë në vende, që ky shtet i quan “zona të kuqe”. Pra, cdo shtet ka rregullat e tij dhe emërtesa “Bashkimi Evropian” tashmë në kohën e Covid 19, ka më shumë kuptim gjeografik, sesa të një hapësire me rregulla të përbashkëta politike dhe administrative.

Shqipëria nënshkroi në vitin 2010 marrëveshjen për liberalizimin e vizave dhe që prej atij viti, qytetarët mund të lëviznin brenda hapësirës së quajtur Shengen vetëm me pasaportën e tyre. Por sot, kjo është e pamundur. Përjashtuar rezidentët në vendet e BE-së, qytetarët e tjerë nuk mund të ndërmarrin asnjë udhëtim drejt BE-së. Në mënyrë direkte ose indirekte, kuptimi i liberalizimit të vizave është një koncept i tejkaluar, ndërsa izolimi i shqiptarëve, tashmë është një fakt. Që prej marsit, askush nuk mund të fluturojë në kontinentin e vjetër pa një arsye madhore, shëndetësore ose të biznesit, arsye, që duhet ta bëjë bindëse nëpër ambasadat përkatëse të vendeve perëndimore në Tiranë.

Në mes të këtij ri-izolimi, që duket më i rëndi që prej vitit të largët 1991, kur Shqipëria u nda nga regjimi komunist, Brukseli bëri me dije, që pas 1 janarit 2021, qytetarët shqiptarë, ashtu si dhe ata të afro 60 vendeve të tjera jashtë BE-së, do të duhet t’i nënshtrohen një regjimi të ri të vizave online të sistemit “Etias”. Ky program, i quajtur “sistemi i autorizimit dhe informacionit elektronik të udhëtareve”, ka për qëllim filtrimin e të gjithë atyre, që udhëtojnë, për të ruajtur kufijtë e Bashkimit Europian. Në këtë formular, udhëtarët do të duhet të japin detaje për udhëtimin e tyre, ku përfshihen të dhënat për shëndetin dhe sigurinë, si dhe p.sh të dhënat për rekordet kriminale, por edhe informacione të tjera, kundrejt një pagese fikse.

Gjatë dekadës së fundit, partitë e djathta, që në bazë të programeve të tyre veç të tjrerash, kanë kundërshtuar lëvizjen e lirë të njerëzve brenda Bashkimit Evropian, kanë shtuar ndjeshëm elektoratin e tyre në vendet kryesore të kontinentit të vjetër. Nga Franca në Itali, Austria, Greqia, Holanda e më tej, pa përmendur Hungarinë apo Poloninë, që tashmë janë në pararojë të politikave të mbylles, tendencat e një Europe të mbyllur janë një realitet, që përkthet në vota. Madje në qershor 2019 Komisioni Europian hodhi poshtë kërkesën e parlamentit holandez, për të rivendosur regjimin e vizave me Shqipërinë. Kjo tendencë eupropiane ka bërë, që preteksti i pandemisë të tingëllojë thuajse natyral në mbylljen e kufijve të Shengenit për qytetarët shqiptarë ashtu si dhe për ata jashtë komunitarë.

Por nuk ndodh e njëjta gjë me qytetarët europianë, që duan të vizitojnë Shqipërinë ose vendet e Ballkanit Perëndimor. Qeveria shqiptare nuk aplikon asnjë masë kufizuese për shtetasit e huaj dhe rregullat e lëvizjes së lirë për të huajt, janë të njëjta siç ishin përpara pandemisë. Arsyet e kësaj politike joproporcionale vijnë jo domosdoshmërisht prej kompleksit të inferioritetit karshi BE-së, pasi edhe për qytetarët e shteteve të tjera të rajonit apo jashtë Europës politike, janë në fuqi të njëjtat standarde. Kriza ekonomike dhe gjendja e krijuar nga pandemia ka bërë, që Tirana zyrtare të ndjekë politika normale lëvizjeje për cdo të huaj, që viziton Shqipërinë, biznesmen apo turist, udhëtar i zakonshëm apo sportist. Të gjithë të huajt, qofshin nga Brukseli, Roma, Parisi, apo Stokholmi, por edhe ata nga New Jorku, Wuani e Shangai, nga Minsku apo Moska, mund të vijnë në Shqipëri me të njëjtat rregulla, siç udhëtonin përpara pandemisë. Madje Shqipëria mikpriti në shtator një ndeshje fubolli mes Azerbaxhanit dhe Qipros, takim i pamundur për t’u luajtur në Baku për shkak të luftës azero-armene.

Përhapja e pandemisë ka bërë, që jeta e qytetarëve shqiptarë të ndryshojë, jo vetëm në të përditshmen e tyre, por edhe në pamundësinë e udhëtimit drejt kontinentit të vjetër. Hipoteza gjysëm konspirative, se shumë vende të Bashkimit Europian po e përdorin Covid 19 si pretekst, për të anuluar “de facto” lëvizjen e lirë të qytetarëve jo evropianë në hapësirën Shengen, ka shumë argumenta, se nuk është një paranojë pa asnjë bazë. Historia e Albanit, që mori vizën e punës në ambasadën gjermane dhe fluturoi drejt spitalit, ku është punësuar, tregon më së miri këtë realitet të ri. Mjeku i ri nuk mund të mikpresë në Gjermani prindërit apo ndonjë nga familjarët e tij në ditët e pushimit, sic mund të bënte, nëse do kishte nisur punë një apo dy vjet më parë. Për ta, udhëtimi drejt Gjermanisë është thjesht një mision i pamundur.

 

Të Fundit