“Besoni tek institucionet”, ambasadori i OSBE: Hetim i shpejtë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, gjyqësori do të bëjë atë që duhet bërë

Ambasadori i OSBE-së, Vincenzo Del Monaco zhvilloi, sot një vizitë në qytetin e Elbasanit, ku u takua me kryetarin e bashkisë, drejtorin e policisë dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Pas takimit me kryetarin e bashkisë, ai iu përgjigj interesit të mediave, ndërsa u ndal tek vrasja që ndodhi në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve.

Ai kujtoi se ditën pas vrasjes në Elbasan të Pjerin Xhuvanit, përpara zgjedhjeve, OSBE bëri një deklaratë shumë të qartë, ndërsa shtoi se kanë besim te një hetim i shpejtë dhe se gjyqësori do të bëjë atë që duhet bërë. Mes të tjerash ambasadori bëri thirrje që qytetarët të kenë më shumë besim tek drejtësia.

“Së pari, dua t’ju falënderoj shumë për vëmendjen që po tregoni. Unë u prita shumë mirë nga Kryetari i Bashkisë. Kjo është vizita e parë zyrtare që po bëj në një bashki jashtë Tiranës. Me Elbasanin kemi një bashkëpunim afatgjatë. Sikurse e përmendi edhe Kryetari i bashkisë, ne diskutuam gjerë e gjatë për Këshillin Vendor për Sigurinë Publike dhe për kontributin që ky organ i rëndësishëm këshillimor jep në jetën politike, sociale dhe ekonomike të qytetit. Gjithashtu, diskutuam edhe për rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në debatet që lidhen me sigurinë. Puna me rininë është përparësi e Prezencës së OSBE-së, pasi çon në një shoqëri më gjithëpërfshirëse, më të drejtë, si edhe ka ndikim në qeverisjen e bashkive, duke filluar nga Elbasani. Po ashtu, diskutuam për rolin e grave. Mësova me kënaqësi që shkalla e punësimit të grave është shumë e lartë këtu në Elbasan. Fuqizimi i grave është përparësi e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.”, tha ai.

Pyetje: Opozita ka përshtypjen se, në këto zgjedhje, pati një krim elektoral. Cili është komenti juaj për gjithë këtë?
Ambasadori:
 Mendoj se të gjithë e kemi lexuar raportin e ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it. Kur flasim për ankesat për procesin zgjedhor dhe ngjarjet kriminale që ndodhën gjatë procesit zgjedhor nuk më takon mua të gjykoj. Unë kam plotësisht besim tek autoritetet gjyqësore shqiptare. Siç ju kujtohet, ditën pas vrasjes në Elbasan, përpara zgjedhjeve, ne bëmë një deklaratë shumë të qartë dhe kemi besim te një hetim i shpejtë dhe se gjyqësori do të bëjë atë që duhet bërë. Kështu funksionon në demokraci.
Pyetje: Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve, sa pranë është Shqipëria me Bashkimin Evropian?
Ambasadori: Sikurse e dini, unë jam lindur e rritur në një nga vendet që ka themeluar Bashkimin Evropian, por nuk jam këtu në cilësinë e Kreut të Delegacionit të BE-së apo të ambasadorit të ndonjë shteti anëtar të BE-së. Kjo është një pyetje që duhet t’ua bëni kolegëve të mi të BE-së, jo mua. Ajo që mund t’ju them është se ne jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë. Po të lexoni mandatin që përfaqëson kushtetutën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, do të shihni se aty ka disa përparësi, duke filluar nga shteti i së drejtës, demokratizimi, proceset zgjedhore, të cilat ndihmojnë shumë në arritjen e përparësive strategjike kryesore të Shqipërisë. Ama pa ngatërruar rolet, pasi unë me shumë krenari përfaqësoj OSBE-në në këtë vend.

Pyetje: Z. Ambasador, meqë përmendët sigurinë, sa e motivuar dhe e vendosur ju duket policia shqiptare për të luftuar krimet elektorale dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Kemi parasysh që Elbasanin tri javët e fundit e ka goditur krimi tri herë duke marrë tri jetë njerëzish.Ambasadori: Unë e kuptoj interesin që mediat dhe njerëzit kanë me të drejtë në pyetjet tuaja. Por çfarë përgjigjeje prisni nga unë? Unë jam takuar disa herë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, jam takuar disa herë me hierarkinë e Policisë së Shtetit, jam takuar disa herë me oficerë policie, pasi mora pjesë në trajnimin që OSBE-ja iu ofroi në prag të zgjedhjeve për ta përgatitur më mirë Policinë e Shtetit në garantimin e sigurisë pranë ditës së zgjedhjeve dhe gjatë saj. Ne u ofruam trajnim më shumë se 6 mijë punonjësve të policisë. Mesazhi që unë jap ka të bëjë me besimin, me besimin institucional: besoni tek institucionet.

 

Të Fundit