Berisha: PD i humbi zgjedhjet, Basha duhej të dorëhiqej dy herë

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur në takimin me demokratët në Tiranë, tha se PD ka humbur zgjedhjet dhe Lulzim Basha duhej të largohej.

“PD ka tetë vjet që ka humbur çdo aksion 100 përqind. Ka tetë vjet që përpara të saj shkatërrohet mekanizmi elektoral dhe ajo nuk i del zot. Ka 8 vite që ajo kalon nga disfata elektorale në disfatë elektorale. Kjo është PD në ditët e sotme.

PD humbi zgjedhjet e fundit, në të cilat Edi Rama vodhi, bleu dhe grabiti dy herë më shumë vota se në zgjedhjet e vitit 2017. Po prapë duhet t’ia themi vetes të vërtetën në sy. PD nuk i fitoi zgjedhjet. Unë nuk mund të them atë që nuk është.

Ditën e zgjedhjeve në darkë, pollsteri më serioz që kishim, pyet zgjedhësit demokratë se për kë votuan në PD. Vetëm një e pesta e tyre thoshin se kanë votuar për kryetarin. Të tjerët për PD-në. E kundërta ishte në raport me partinë tjetër. Nuk mund të them që fituam se në këtë mënyrë nuk fitohet.

Humbe njëherë zgjedhjet, duhet të ikësh. Po humbe dy herë, duhet të ikësh dy herë,” tha Berisha.

Krahasuar me vitin 2013, PD ka marrë 74 mijë vota më pak, tha Berisha, duke thënë se PD në vitin 2001 arriti të faktojë manipulimet zgjedhore dhe mori mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Kryetari i PD në vend që të merrej me këtë punë, u mor me karrigen,” tha Berisha.

Të Fundit