Berisha: Basha në protestën e 8 janarit i rrethuar me mercenarë të kthyer nga Siria

Pas dëshmisë së dhënë në prokurori për protestën e 8 Janarit, ish-kryeministri, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Lulëzim Bashës.

I pyetur nga gazetarët nëse ka dhënë prova dhe emra në Prokurori, Berisha është shprehur se një pjesë të emrave, të atyre që ai i quan mercenarë, vrasës e trafikantë, i ka publikuar në faqen e tij të “Facebook”, ndërsa ka shtuar se do të dorëzojë çdo provë.

“Pa diskutim që kjo ishte një çështje pjesë e deklaratës sime. PD do të dorëzojë çdo informacion që mbledh për këtë grup mercenarësh, vrasësish, trafikantësh. Emrat konkretë i keni të publikuar edhe në facebook tim, disa prej tyre. Facebook e kam publik. Besoj se momenti që një seli partie qëndronte e pushtuar me banditë, tregonte gjithçka se ç’ndodh në narkoshtet. Çështje tjetër që unë shtrova me forcë, si ka mundësi që të njëjtat armë që përdorte narkopolicia e Edi Ramës, përdorte dhe banda e Lulzim Bravës? Kjo ishte një dëshmi tjetër e një shkrirje, bashkëpunimi, të grupit të mercenarëve me narkobanditët me uniformë.

Emrat e mercenarëve, një pjesë i kanë ndaluar. Problemi është se armët i nxori nga selia, thuhet Lulzim Brava me mjetin e tij, megjithatë ka dëshmi flagrante të pranisë së njerëzve të armatosur në seli. Ka foto, por jo vetëm. Kështu që nuk ka asnjë njeri sot që vë në diskutim ekzistencën e këtij grupi të gjerë mercenarësh të përbërë nga vrasës, trafikantë, fondamentalistë, në seli, si roje të Lulzim Bravës”, tha Berisha.

Më tej ai ka theksuar se ditën e protestës në selinë e PD-së, Lulzim Basha ishte i rrethuar nga fondamentalistë, mercenarë të kthyer nga Siria.

“Fondamentalistë, nënkuptoj persona të cilët i përkisnin organizatave terroriste. Persona që kanë qenë në Siri dhe janë kthyer. Çfarë duan ata në selinë e PD? Ata janë mercenarë. Ata mbronin Lulzim Bravën për të cilin nuk i jepte siguri mbrojtja nga Garda. Këtu qëndrimi i Gardës, pranimi i vrasësve si rrethim i dytë, ky është një krim shtetëror shumë i rëndë”, tha Berisha.

Të Fundit