BE përgënjeshtron akuzat: Asnjë diskutim në lidhje me Teatrin Kombëtar

Fill pas akuzës së Aleancës së Teatrit, përkitazi me një takim të fshehur nga ana e ambasadorit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, ka ardhur edhe reagimi i BE në Tiranë.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021.

Sipas tyre, takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri.

“Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare”.

Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media.

Të Fundit