“Bashkëjetuesi do të më vrasë”, parandalohet krimi në Durrës,arrestohet 32-vjeçari

Policia e Durrësit ka njoftuar se është bërë e mundur parandalimi i një ngjarje të rëndë kriminale.

Sipas uniformave blu, është parandaluar vrasjen e shtetases K. B., banuese në Durrës dhe është vënë në pranga bashkëjetuesi i saj, i cili po e kërcënonte me armë zjarri.

Mësohet se policia ka arrestuar edhe vëllain e tij, pasi u kap në banesën e tij, me një armë zjarri kallashnikov.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore u zbulua një banesë në Tiranë, që e përdorte bashkëjetuesi i shtetases K. B. dhe dy shokë të tij, të cilët u shpallën në kërkim.

Gjatë kontrollit në këtë banesë u gjetën dhe sekuestruan edhe një kallashnikov e një pistoletë, municon luftarak e sende të tjera.

Në total u sekuestruan: 2 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 2 automjete.

Mësohet se pas njoftimit të marrë nga një shtetase e cila ishte e traumatizuar dhe kërkonte ndihmë sepse po e kërcënonte për ta vrarë bashkëjetuesi i saj, është bërë i mundur parandalimi i vrasjes së shtetases K. B. dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

L.D. alias K., 32 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Durrës, për veprën penale “Vrasje me paramendim për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”, i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, i cili në momentin e arrestimit mbante me vete një armë të llojit pistoletë me krehër me 8 fishekë, me të cilën do të kryente krimin.

Nga veprimet hetimore të kryera, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, i shtetasit A. K., 35 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Durrës, vëllai i autorit.

Këtij shtetasi, nga kontrolli i banesës iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik kallashnikov dhe 23 fishekë.

Policia ka bërë të mundur edhe zbulimin e një banese të marrë me qira në qytetin e Tiranës, e cila përdorej nga i arrestuari, shtetasi L. D., dhe shtetasit M. L., banues në Durrës dhe E. H., banues në Thumanë Krujë, banesë në të cilën u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë provës materiale një armë zjarri automatik, me krehër dhe fishekë dhe një pistoletë me fishekë.

Shtetasit M. L. dhe E. H., u shpallën në kërkim si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Armëmbajtja pa leje”.

Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës

Të Fundit