Basha ultimatum Gledis Nanos: Ke afat deri të hënën për të sjellë të dhënat e TIMS

Lulzim Basha i bëri thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, që t’i japë Komisionit Hetimor për Inceneratorët informacion lidhur me të dhënat e sistemit TIMS, për lëvizjet e ministrave.

Ishte kryetarja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku, e cila tha se nuk i kanë marrë ende të dhënat e sistemit TIMS, ndaj dhe Basha i la afat kryepolicit Nano deri ditën e hënë, që të japë të dhënat. Sipas Bashës, kanë mësuar se Nano nuk vepron pasi ka urdhër nga lart.

“I bëj thirrje Gledis Nanos, Policia e Shtetit nuk mund të mohojë informacionin e lëvizjes së personave, për të cilët është bërë kërkesa.

Ja bëj këtë kërkesë, nga informacionet e ardhura nga PD, se ndalimi i raportimit të të dhënave të sistemit TIMS nuk është bërë me urdhër të Nanos, por me urdhër politik nga lart. Nuk ka lart, kur vjen puna te zbatimi i ligjit.

Ndaj, z. Gledis Nano i bëj thirrje që brenda ditës së hënë të japë të dhënat, se si ministër i Brendshëm, që kam kontribuar në instalimin e sistemit TIMS, e di sa e lehtë është t’i kthehet përgjigje komisionit hetimor nëse këta persona kanë udhëtuar së bashku dhe sa herë. I kujtoj Nanos se mosbashkëpunimi i Policisë së Shtetit me komisionin përbën jo vetëm vepër penale’, tha Basha.

Të Fundit