Basha: PD-në e ndërtuan guximtarë, tani hapje dhe qarkullim elitash

Me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe pjesën tjetër të demokratëve të ulur përballë tij, Lulzim Basha u shpreh se Partia Demokratike nuk u ndërtua nga njerëz të frikësuar, por guximtarë duke shprehur bindjen se as sot, ashtu si 30 vite më parë, askujt nuk i mungon guximi për të luftuar, për të mos u dorëzuar, për ta çuar deri në fund përballjen sipas tij me regjimin.

Ndaj, tha më tej lideri demokrat në fjalën e tij para këshillit kombëtar, hapja, modernizimi i vazhdueshëm dhe qarkullimi i elitave brenda Partisë Demokratike duhet të jenë pjesë e përditshme.

“Të dashur vëllezër dhe motra, sfidat që kemi përpara janë te mëdha, ndaj vullneti dhe vendosmëria jonë duhet të jenë po aq të mëdha. Ne kemi lindur si partia e njerëzve të lirë dhe ajo që na mban të bashkuar në këtë Shtëpi të Lirisë është dashuria për Shqipërinë, pasioni për të shërbyer në jetën politike të vendit tonë, pasioni për të punuar për zhvillimin dhe integrimin në Bashkimin Europian, me idetë dhe vlerat tona që na dallojnë si parti popullore Eruopiane.

Edhe pse jetojmë në kohë jo bujare për politikën, jo vetëm në Shqipëri, kur politika shihet me rezerva dhe difidencë, shqiptarët na besuan dhe na mbështetën; Edhe pse miliona euro harxhohen në propagandë kundër nesh, edhe pse asgjë demokratike nuk kishte në masakrën e 25 prillit, shqiptarët na dhanë një besim të jashtëzakonshëm për planet tona konrete, për vizionin tonë, për programin tonë.

Ndaj, në këtë moment përcaktues për demokracinë e vendit, është e rëndësishme më shumë se kurrë që përballja me regjimin të mos na largojë nga qytetarët dhe nga problemet e tyre. Rendin e ditës duhet ta përcaktojmë ne dhe ai duhet të jetë për shqiptarët dhe me shqiptarët.

Disa prej tyre ndoshta duan t’i qëndrojnë larg politikës, duke e konsideruar një gjë të keqe, por në fakt, përtej një interpretimi të nxituar të nxitur nga politikanë të gabuar, nëse njerëzit nuk merren me politikën, është politika që merret me ta.

Shembuj të tillë kemi plotë, nga gazi lotësjellës i pëdorur kundër grave dhe fëmijëve, te gjobat selektive, te të rinjtë që largohen ëndrraprishur për shkak të keqqeverisjes, taksat e larta apo korrupsioni që shkatërron institucionet që nuk janë të afta të japin shërbime, që fatkeqësisht mund të kushtojë edhe jetën, sikurse po ndodhë me pandeminë.

Ndaj, krahas të qenurit partia që i shërben qytetarëve dhe interesit publik, e jo vetes, kemi detyrën të jemi edhe partia që komunikon me shoqërinë, që e zhbën hendekun e pakapërcyeshëm midis njerëzve dhe politikës, që komunikon me qytetarët dhe i normalizon raportet e politikës me qytetarët.

Sigurisht duke u hapur edhe më shumë dhe duke u bërë sa më përfshirës, duke dhënë shembuj pozitivë dhe duke mbajtur gjithmonë një sjellje morale që frymëzon besim te qytetarët. Besim për të mos qëndruar pasiv, teksa Shqipëria qëndron në vend numëro, por që të zgjedhin angazhimin si mjet për të përmirësuar jetët e familjeve të tyre.

Ndaj hapja, modernizimi i vazhdueshëm dhe qarkullimi i elitave brenda Partisë Demokratike duhet të jenë pjesë e përditshme e përpjekjeve tona të përbashkëta, për të rritur besimin dhe inkurajuar angazhimin qytetar. Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, e çdo individi që beson tek demokracia, që beson tek liria dhe tek e ardhmja europiane e vendit tonë.

Nuk ka për të qenë e lehtë, por jam i bindur që askujt nuk i mungon guximi për të luftuar, për të mos u dorëzuar, për ta çuar deri në fund përballjen me regjimin.

Sepse, në fund të fundit, Partia Demokratike nuk u ndërtua nga njerëz të frikësuar. Partia Demokratike u ndërtua nga guximtarë, nga njerëz që nxitën ëndrrën për një Shqipëri europiane, që kishin këmbëngulejn e palëkundur për të çuar përpara vlerat te të cilat të gjithë besojmë dhe janë ende busulla e një kombi që kërkon liri dhe demokraci.

Kjo është Partia Demokratike, këta jemi ne, ky është edhe fati ynë dhe këtë do t’u themi njerëzve” tha Basha.

Të Fundit