Balla jep shifrat: Ja sa qytetarë na kanë shkruar për kandidatët për president

Kreu i Grupit Parlamenta, Taulant Balla, në mblëdhjen e Grupit Parlamentar të PS ka treguar se sa qytetarë kanë propozuar emra kandidatësh për presidentë.

Gjatë fjalës së tij Balla deklaroi se deri në orën 8 të mëngjesit të sotëm, 132 qytetarë i janë përgjigjur thirjes së Partisë Socialiste për të propozuar emrin e një kandidati për President përmes e-mailit të PS-së.

Ndër të tjera Balla foli edhe për kalendarin e propozuar nga të majtët për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Ky është një proces që përbëhet nga dy etapa. Etapa e parë është ajo konsultative ndërkohë që etapa e dytë është ajo kushtetuese.

Jo më pak se 7 ditë nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve do të mbahet seanca e parë e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Në rast se brenda afateve do të ketë kandidatë që do të kenë mbledhur 20 firma, do të shkojmë në raundin e parë. Duke llogaritur jo më shumë se 7 ditë nga raundi i parë, do të shkojmë në raundin e dytë dhe më pas në raundin e tretë.

Kam njoftuar grupet parlamentare të opozitës të dakordësojmë këtë kalendar.

Kemi propozuar që data 29 prill të jetë data e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. Brenda javës së parë pas datës 29 maj do të mbahet seanca e parë për zgjedhjen e presidentit.

Dua t’ju njoftoj se pjesë e këtij procesi është dhe publiku. Eksperienca shembullore e Këshillimit Kombëtar, na ka dhënë leksionin e duhur për konsultimin me publikun në procesin legjislativ. Ne kemi njoftuar ditën e djeshme një adresë e-mailit, ku qytetarët mund të bëjnë propozimet e tyre.

Deri në orën 8 të mëngjesit kanë ardhur 132 e-mail-e nga qytetarët. Ky proces do të vijojë dhe javën tjetër”, tha Balla.

Të Fundit