Balla: Jemi në negociata me PD-në zyrtare për reformën zgjedhore

Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar këtë të hënë se maxhoranca është në negociata me PD-në zyrtare për përcaktuar objektin e punës për reformën zgjedhore.

“Unë e kam thënë disa herë që kemi një qasje dhe diskutim me grupin parlamentar të PD zyrtare për të gjetur formulimet e sakta sa i përket objektit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Formulimi i objektit të punës është shumë i rëndësishëm. Ne duam të ruajmë të njëjtin përcaktim si në komisionet e kaluara të reformës që kanë të bëjnë me hartimin e ligjit zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE. Ky është një detyrim që Shqipëria ka edhe për procesin e integrimit europian.

Këto negociata me opozitën nuk kanë lidhje me asgjë tjetër. Unë nuk hyj në asnjë përgjigje për pyetje që nuk kanë të bëjnë me thelbin e çështjes. Sa i përket detyrimit të Kuvendit për të zgjatur vettingun, kjo nuk është çështje e diskutimit politik”, deklaroi Balla.

Ndër të tjera në fjalën e tij, Balla u ndal te zgjatja e mandatit të organeve të vettingut, për të cilën tha se është domosdoshmëri.

“Unë mendoj se zgjatja e mandatit të organeve të vettingut nuk është çështje e bindjeve politike por për çuarjen përpara të reformës në drejtësi. Pa vettingun nuk do kishim një drejtësi të pastruar nga disa elementë. Ne kemi thënë prej ditës së parë, iniciativa për shtyrjen e mandateve të organeve të vettingut nuk është domosdoshmëri e PS por për të çuar përpara këtë proces”, deklaroi ai.

Të Fundit