“Ata që nuk bëjnë punën të hapin rrugën”, shpërthen Erion Braçe : Kam shkuar në zyrë të ministrave, nuk kam gjetur as ministrat as….

Deputeti i PS, Erion Braçe teksa po fliste sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në lidhje me agjencinë për bashkëqeverisje, nuk i kurseu kritikat.

Braçe tha se sa kohë që është e nevojshme një gjë e tillë, tregon se institucionet në vendin tonë, vijojnë që të mos iu shërbejnë qytetarëve.

Ai tha se gjatë kohës kur ishte numri 2 në kryeministri, ka shkuar disa herë për inspektim, dhe nuk ka gjetur në zyrë jo vetëm ministrat, por edhe drejtues të të gjitha niveleve.

Sipas socialistit të gjitha burimet njerëzore në administratën publike kanë nevojë për një reformim, pasi sipas tij kanë probleme shumë të mëdha në lidhje me shërbimet.

“Unë do të doja në fillim që të thosha disa gjëra për keqkuptimet që krijohen në këto raste, nuk ka lidhje kjo me patronazhistët, unë kam 30 vite kam qenë pjesë e asaj partie dhe këto lloj strukturash kanë ekzistuar. E dini ju sa veta janë ata apo jo, Mondi të lutem! O Mondi të lutem, o Mondi të lutem, Mondi të lutem, o Mondi a ka mundësi që ta mbaroj unë? Unë nuk e gjeta dot në dy vite e gjysmë se sa persona të PD punonin në kryeministri, ligji e lejon gjithkënd të bëjë çdo gjë jashtë orarit zyrtar. A do ta them troç, gjysma e administratës nuk ka votuar PS-në.

Nuk ka asnjë lloj sensi, asnjë lloj gjëje, çlirohuni nga kjo pjesë, se nuk ka lidhje bashkëqeverisja me patronazhistët. Si i përdorim ne këtë agjensi, me çfarë qëllimi vihen në lëvizje këto institucione. Nëse ministri, zv.ministri nuk e fillojnë dot punën duke e pasur qytetarin në mendje, sa herë kemi shkuar ne nëpër zyra dhe nuk kemi gjetur ministra në zyrë.

Kemi shkuar për të kontrolluar marrjen e përgjigjeve institucion më institucion, u detyruam që të vendosim tabela. Thelbi është funksionimi i komisioneve, jemi në vitin e 9 zonja ministre, dhe nëse nuk bëjmë dot reformën në institucione, nuk mund të bëjmë dot asgjë tjetër.

Ata që nuk bëjnë punën të ikin, të hapin rrugën dhe të largohen, të hiqen nga detyra ata që e korruptojnë institucionin për interesa të veta. Kur flas për institucionin nuk them vetëm për titullarin, por për të gjithë nga i pari deri te i fundit. A-ja është funksionimi i institucioneve, dhe kjo është përgjegjësi e qeverisë, dhe ka gjithë përgjegjësinë që të kryejë reforma të domosdoshme, edhe për të rinovuar të gjithë burimet njerëzore, nëse fillohet atje edhe kjo agjenci është e panevojshme.

Qytetarët paguajnë taksa dhe duan shërbim, duan të marrin atë shërbim, nuk duhet të marrin mbivendosje institucionesh, që nuk bëjnë punën e tyre. Kjo agjenci ka 4 vite, dhe tani duam ta forcojmë, pse? Sepse kanë dështuar institucionet, ne do të vazhdojmë të paguajmë dhe të paguajmë për sisteme të reja, për të luftuar atë që është në kokë”, tha Braçe në Komision.

Të Fundit