“As në kohën e Enver Hoxhës nuk ka ndodhur që të nxjerrësh partinë nga zyra ”/ Sali Shehu: U dhunua kreu i FRD Tiranë dhe stafi i presidentit

Në një tjetër deklaratë për mediat në krah të nënkryetarit të LSI-së Petrit Vasili, kreu i FRD-së Sali Shehu deklaroi se “nuk ka burrë nëne mbi tokë që t’i marrë këto zyra”.

Duke iu referuar incidentit të ndodhur sot ku policia bashkiake u përplas me presidentin Meta, Shehu tha se “as në kohën e Enver Hoxhës nuk ka ndodhur që të nxjerrësh partinë nga zyra”.

Shehu ka rrëfyer momentet se si u njoftua mbi incidentet, duke shtuar se tentoi të lidhej në telefon me kryebashkiakun Veliaj, por ky i fundit nuk iu përgjigj.

“Sapo kam filluar takimet mora telefonatë nga kreu i FRD-së në Tiranë dhe më thanë kanë bllokuar hyrjen. Tentova të komunikoj me Veliajn në telefon dhe nuk mu përgjigj. Unë në momentin e parë njoftova mediat, kryeministrin, KQZ. Do t’ia dalim të jeni të sigurt sepse kemi bindjen se aleanca dhe gjithë partitë politike kanë me vete mbi 70 për qind të popullit”, tha ai.

I pyetur nëse do të vazhdojë të qëndrojë në seli, Sali Shehu u përgjigj: “Padiskutim. Po ju njoftoj që kam njoftuar prokurorin e rrethit të Tiranës për të kryer veprimet e para hetimore për dhunën ndaj kreut të FRD-së së Tiranës dhe të stafit shoqërues të presidentit”.

Ndërsa nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili u shpreh: “Mos e harroni kurrë këtë letër! Sepse këta maskarenj mund të duan me një letër pa firmë dhe pa emër t’ju marrin pronën. Por Shqipëria e tërë është shumë e madhe, dhe nuk mund të kalojnë dot këta 5 pisa mbi shqiptarët. Nuk janë thjesht zyrat, por liritë. Nëse duan të përballen në këtë mënyrë le të përballen”

Të Fundit