Apollonia çel sezonin turistik, turistet spanjolle: Kemi të njëjtën kulturë

Nga dita e mërkura është çelur zyrtarisht sezoni i ri turistik në Apoloni.

Pilar Panes Casas dhe Karmen Kampelo, nga Madridi i Spanjës, janë dy nga 5540 turistët që kanë vizituar Apoloninë gjatë këtij 4 mujori të vitit 2022.

Ato e shohin Apoloninë dhe thesaret që ajo mbart, si pjesë e trashëgimisë mesdhetare dhe evropiane.

“Mua më pëlqen shumë Apolonia. Ne e dimë që Apollonia dhe Shqipëria, siç është edhe Spanja, nga e cila ne vijmë, të japin kënaqësi. Kanë të njëjtën kulturë dhe influencë siç ka patur në antikitet, me qytetërimin greke atë romak. Për ne është sikur vizitojmë të njëjta vende sepse duke qenë se jemi mesdhetar është e njëjtë shtrirja dhe këtu”, tha Pilari.

Për turistet e ardhura nga Spanja, ky sajt arkeologjik, e afron Shqipërinë më shumë vendet evropiane, duke treguar ngjashmëritë dhe të përbashkëtat që ka kultura mesdhetare.

“Kur ishim në vendin tonë ne zbuluam Apoloninë nëpërmjet fotove, nëpërmjet videove që kemi parë dhe na pëlqeu shumë. Kur erdhëm këtu pamë një sajt i cili ishte shumë i bukur, na magjepsi me monumentet, muzeun dhe manastirin mesjetar të tij, i cili ishte një lidhje e kulturave tona sepse ne jemi njësoj pak a shumë Ne pamë që kemi të njëjtat ngjashmëri dhe nuk u ndiejmë të huaja këtu, ndiem që ishim po në vendin tonë sepse kultura mesdhetare është pak a shumë e njëjta gjë”, u shpreh Karmeni.

Drejtoresha e parkut arkeologjik të Apollonisë, Ornela Dyrmishaj pohon tendencën në rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me vitet paraardhëse.

“Këtë vit në krahasim me 2021 jemi shumë mirë Kemi tejkaluar shifrat mbi 50% të vizitorëve dhe po kështu edhe të ardhurat që janë mbi 50 % minimalisht dhe ato. Duke krahasuar 2019, nuk jemi në ato shifra. Fluksi po shtohet çdo ditë e më shumë, me çeljen e sezonit turistik sepse nga sot ne kemi çelur edhe sezonin turistik, kanë ndryshuar edhe oraret e pritjes, pra parku arkeologjik do të qëndroj i hapur deri në orën 6 pasdite. Kështu që i jepet kohë vizitorëve dhe turistëve të kenë orare të ndryshme kohore”

Gjatë sezonit turistik 2019, Apolloninë e vizituan 60.250 turistë vendas dhe të huaj. Ndërsa gjatë vitit 2021 shifrat tregonin për 30. 575 turistë që kishin prekur antikitetin në vendbanim të lashtë.

Të Fundit