“Anës detit i palarë…”, mjeku Tritan Kalo: Kur futem në dush më kujtohet Noli, shyqyr kemi “letrat e bebeve”

Mjeku infenksonist, Tritan Kalo ka denoncuar përmes një postimi në “Facebook”, mungesën e ujit të pijshëm.

Kalo tregon se edhe kur uji vjen, ndihmohet nga një pompë. Ndërsa me ironi thotë që “rrofshin letrat e lagura të bebeve” pasi me to mund të pastrohen.

Në fund madje Kalo ka ironizuar edhe Këshillimin Kombëtar ku shkruan se atij i duhet shtuar edhe pyetja e 13-të, “A doni ujë të pijshëm 24 orë në çezmat tuaja?”.

“Ditë e javë sa më të mbarë miq, dashamirës, të afërm dhe bashkëkombas….Ka vite që vargu “Anës detit i palarë…” (“Anës lumenjve”, Th. S. Noli), më vjen ndërmënd sa herë më duhet të lahem/bëj dush ose të laj teshat në fund të javës… Uji ose nuk vjen me presionin e zakonshëm dy-tre herë në ditë, kur ai rrjedh në çezmat tona me ndihmën e një pompe, ose edhe “nuk turpërohet të mos vijë fare”….Unë jam në katin e tretë, mendoni familjet që ndodhen në dy katet sipër banesës sime…Fatmirësisht ka në shitje “letra të lagura për bebet”, të cilat na mundësojnë edhe ne “bebet e rritura” të qëndrojmë të pastër….KUR kemi hyrë në këtë pallat në Dhjetor 1962 dhe deri në Maj-Qershor 1992, të 24 orët e ditës UJI KURRË nuk mungonte në çezmat tona….RRËNOFTË DEMON-KRACIJA që na e hoqi “këtë bezdi”… Para pak vitesh u hap një kanal i cekët nën trotuaret e Rrugës “Muhamet Gjollesha”, dhe u instalua një lidhje e re me tubin qëndror të ujit në pallatin tonë, duke na u thënë se tash e tutje uji nuk do të na mungonte….BROÇKULLAT e zakonshme elektorale….Lali Eri, PUSHTOJE edhe “kështjellën e fundit që është jashtë kontrollit tënd dhe jo vetëm, FSHF-në”, POR ke marë dy herë votat edhe për 24 orë ujë në rubinetat tona, si dhe për mos shpërfytyrimin kullësor të urbanizimit të Kryeqytetit të të gjithë Shqiptarëve….Do sugjeroja që Pika e 13-të e Këshillimit Kombëtar të sapo hedhur në “tregun e tollovitjes mendore të Shqiptarëve”, të ishte: “A doni ujë të pijshëm 24 orë në çezmat tuaja”?!?!…..Quo vadis Shqipëria ime?”-shkruan Kalo.

Të Fundit