Albin Kurti: Kosova nuk ka çfarë fsheh nga e kaluara, radha e Serbisë të hapë arkivat – Stop
Aktualitet, Të Gjitha

Albin Kurti: Kosova nuk ka çfarë fsheh nga e kaluara, radha e Serbisë të hapë arkivat

Dakordësia mes palës kosovare dhe asaj serbe për të hapur të gjitha arkivat, duke përfshirë edhe ato të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në ka sjelle reagime te ashpra, kryesish nga ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata kanë akuzuar Kurtin se po barazon viktimën me agresorin, ndërsa kanë mohuar që në Kosovë të ketë arkiva të UÇK.

Në përgjigje të këtyre reagimeve Kryeministri Kurti deklaroi se Kosova nuk ka se çfarë të fsheh për të kaluarën e saj.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë, të cilat përfshijnë edhe ato gjatë luftës dhe të gjitha dëshmitë dhe materialet që janë të UÇK-së. Ne jemi shumë të hapur e transparentë, por neve na duhet që ta zbardhim fatin e të pagjeturve, i kemi edhe 1630 të pagjetur dhe për këtë duhet t’i hapim arkivat në Beograd. Nga viti 1999 e këtej ne kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, kemi pasur UNMIK-un, kemi pasur EULEX-in, kemi pasur Tribunalin e Hagës, pra vend më transparent e më të hapur jo vetëm për arkiva se Kosova nuk ka, ajo që tash realisht duhet të hapet është Serbia”, tha kryeministri i Kosovës.

Në çdo forum ndërkombëtar ne duhet të kemi kryefjalë hapjen e arkivave në Serbi, tha Kurti.

“Është tejet e rëndësishme që ne ta themi të vërtetën dhe ta synojmë të drejtën pa e paramenduar gatishmërinë, apo përmasën e gatishmërisë eventuale të Serbisë. Ne duhet ta mbrojmë interesin tonë dhe duhet t’u dalim zot njerëzve tanë që kanë humbur e vuajtur shumë”, u shpreh ai.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *