Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla është ndalur gjatë fjalës së tij në parlament ku foli për raportin e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit edhe tek incidenti i rëndë pak ditë para zgjedhjeve, ku u vra një eksponent i PS.

Balla tha se nuk mund ta kalojë lehtë këtë çështje duke ngarkuar me përgjegjësi për incidentin edhe Policinë e Shtetit. Sipas tij, Policia duhet të kishte marrë masa dhe kërkoi të ngrihet në pritshmërinë e qytetarëve në mandatin e tretë të PS.

“Natyrshëm që objekti i punës së komisionit ishin deklaratat dhe veprimet e tij përpara dhe përgjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit. Në fakt komisioni u ndal dhe në një moment që ka të bëjë me qarkun që unë kam nderin të përfaqësoj dhe me një incident të ndodhur tragjik në Elbasan. Atë ditë Ilir Meta vetëm 3-4 orë përpara ngjarjes deklaronte dhe bënte thirrje të mprehin sfurqet, kosoret, lopatat, sëpatat, t’i kenë gati për të dielën dhe pak orë më pas një organizatë kriminale e ngritur, e mbështetur, e pranuar publikisht nga PD, ekzekutoi në qendër të qytetit të Elbasanit, një qytetar autokton të Elbasanit, familja e nderuar Xhuvani dhe që për fat të keq ende PD nuk është distancuar nga ky akt kriminal që mban tërësisht përgjegjësinë e tyre dhe të Ilir Metës në bashkëpunim, si nxitës të dhunës dhe njerëzit e rekrutuar mercenarë të PD si vrasës me pagesë. Në këtë kontekst natyrshëm që shumë prej jush mund ta kalojnë këtë çështje shumë lehtë, unë personalisht jo. Ajo që ndodhi në Elbasan përveç organizatës kriminale ishte një përgjegjësi dhe e Policisë së Shtetit, e cila nuk i mori masat në kohë, nuk parandaloi një akt kriminal, ndërsa ishte njoftuar se në makinat e loguara të PD udhëtonin persona të armatosur dhe që për fat të keq Policia e Shtetit duhet të ngrihet në përgjegjësinë dhe në pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë në këtë mandat të tretë tonin sepse ende nuk është aty ku unë do të kisha dëshirë ta shikoja Policinë tonë të Shtetit. Shpresoj që Policia e shtetit të bëjë një ringritje më të fortë në përballje me krimin dhe me goditjen sa më të fortë të krimit.  Për t’u kthyer tek sponsori ose tek frymëzuesi i këtij akti dhune që ndodhi në Elbasan, është e panevojshme të ndalesha në një sërë aktesh juridikë, por dua ta them shumë qartë atë që thashë më 8 maj kur morëm vendimin për ngritjen e këtij komisioni. E kemi marrë këtë vendim me bindjen e thellë se ne PS nuk kemi asnjë synim për të marrë postin e presidentit të Republikës. Në 30 vite PS ka pasur president vetëm në një mandat. Ka qenë një President i propozuar nga PS.

Është një moment shumë i rëndësishëm për kuvendin. Hera e parë në 30 vite që con deri në fund procesin për shkarkimin e presidentit. Besoj se kuvendi pasardhës, brenda 5 ditëve nga vendimi duhet të njoftojmë gjykatën kushtetuese, edhe ajo ka një afat, brenda 3 muajsh duhet të shprehet me një vendim. Këshilla e Venecias në rastin e hetimit të parë, është e respektuar, në këtë rast Presidenti i Republikës s’mund të jetë më presidenti ynë. Bie dakord me shumë propozime kolegësh, Shqipëria ka tani nevojë për një klimë të re politike, shpresojmë ta shtensiojmë në kuvendin e ardhshëm”, deklaroi Balla.