Ahmetaj: Qeveria ka bërë përtej mundësive, çmimet rezultat i invazionit rus

Gjatë mocionit me debat në parlament për rritjen e çmimeve, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, deklaroi se qeveria shqiptare ka shkuar përtej mundësive të veta për të mbrojtur konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël për rritjen e çmimit të energjisë.

Ahmetaj theksoi se çmimet janë pasojë e invazionit rus në Ukrainë. Ai theksoi Shqipëria ka shkuar përtej mundësive të veta duke marrë përsipër që të subvencionojë energjinë.

“A ka debat më se cila është arsyeja e çmimeve të rritura? S’ka debat që çmimet janë rritur. Do ishte non-sens të bënim atë debat. Çmimet janë derivim i invazionit rus në Ukrainë. Ka një set me konseguenca në shumë produkte. Nafta e para. Rusia është një nga prodhuesit më të madh të naftës, plus të pasigurisë që reflektohet si pasojë e luftës, çmimi i naftës është rritur nga 65 në 114 për fuçi.

Këtu biem dakord që çmimet janë konseguencë e atij pushtimi.

Do ju lutesha në respekt të profesionalizmit tuaj dhe atyre që përfaqësoni t’i referoheni drejt. Çmimet e grurit dhe miellit, cila është arsyeja? Arsyeja është e njëjtë, lufta në Ukrainë invazioni rus. Të dyja bashkë bëjnë 20% të ofertës ndërkombëtare të luftës.

Është e dhimbshme për qytetarët se çmimi i miellit reflektohet te buka, por këtë gjë nuk e kanë ndalur dhe vende më pasura dhe vende më të zhvilluar. Sigurisht një vend si i joni patjetër merr masat e veta, jo për të parandaluar rritjen e çmimit, pasi varet nga aktorët ndërkombëtarë që e lozim çmimin në treg. Po energjia elektrike a e dini se në Gjermani çmimi i energjisë në raport me vitin 2019 është rritur 500%.

Çfarë do të ndodhte me një biznes të madh apo të vogël sot nëse do t’i shkonte fatura e energjisë 5 herë më shumë.

Ajo që ka bërë Shqipëria ka shkuar përtej mundësive të veta. Ka marrë përsipër që të subvencionojë energjinë, mund të shkoj dhe 200 milionë dollarë në vit. Pse shkon kaq? Se nuk kemi lejuar rritjen e faturës energjitike për familjet”, tha Ahmetaj.

Të Fundit