Ahmetaj: 30 mln € kredi Italisë për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në veriun e Shqipërisë

Zv. kryeministri, Arben Ahmetaj, në një prononcim për mediat pas mbledhjes së qeverisë ka bërë me dije se qeveria ka kaluar një draft marrëveshje me Italinë që i dedikohet një kredie prej 30 mln eurosh për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në veriun e Shqipërisë.

Sipas Ahmetaj kjo shumë prej 30 mln euro është pjesë e angazhimit prej 90 mln euro kredi të qeverisë italiane dhe do të pasohet në javët që vjen me një 30 mln kredi në sektorin e bujqësisë.

“Unë do të ndaja me qytetarët kalimin e një vendimi të rëndësishëm në raport me sektorin e energjisë. Sapo kaluam një draft marrëveshje që ka marrë formën e marrëveshjes me Italinë, ka të bëjë me atë angazhim të qeverisë italiane në raport me konferencën e donatorëve për rindërtimin, i dedikohet një shumë prej 30 mln eurosh përmirësimit të rrjetit të energjisë elektrike në veriun e Shqipërisë.

Është pjesë e angazhimit prej 90 mln euro kredi të qeverisë italiane dhe do të pasohet me javët që vjen me një 30 mln kredi në sektorin e bujqësisë, kryesisht peshkim dhe një 30 mln euro tjetër që ka të bëjë me emergjencat civile e dedikuar për pajisjet e vjetërsuar të flotës së emergjencave civile”, tha Ahmetaj.

Të Fundit